Në këto ditë të ftohta të janarit, me paralajmërimin e grevave të mësimdhënësve fillova të kuptoj se kush qenkemi në të vërtetë. Sipas shumë shkrimeve në llogari e tyre të rrjeteve sociale kuptova që kishim qenë kriminelë, të paditur,të padenjë, përtacë e për çudi sipas një gazetari edhe haraçxhinjë.
Shkruan: Ajshe Matoshi
Krejt i kapërdiva disi, duke mos dashur të regjistroj në kokën time e ta mbushi atë me broçkulla të llojllojshme, që në kohë të fundit është bërë si virus, ku masa po e hedhin vrerin duke përdorë sharje e fyerje në komentet e tyre që bile po zhvillojnë luftëra e po fitojnë beteja dhe shpeshherë po ngjason në arenë.
Por kjo fyerja ” çdo rritje e pagave për mësimdhënës dhe mjekë do të ishte haraç”, haraçi disi më mbeti në fyt e nuk mund të rrija gojëmbyllur pasi që i takoj grupit që jemi prekur me këtë nofkë të re që na mbeti nga kumbara më i ri i mësimdhënësve – Adriatik Kelmendi.
Dua të shkruaj disa sqarime për shumë persona që e kanë harresën të shprehur e për disa që nuk duan t’ia dinë fare dhe për disa që u ka humb rruga në oborr nga kjo situate politike (kaotike) e Kosovës të cilët janë mllefosur e nuk mendojnë se kush na solli deri në këtë ditë por me rëndësi mendojnë se kapën fajtorët – mësimdhënësit që rrinë, nuk punojnë asgjë, marrin rroga koti, pushime e festa pa ia ndalë etj..
Nisemi nga edukatorët të ciklit parashkollor “Këta edukatorë që nuk punojnë”, planprogramet i përgatisin vet me kurikula në hap me shtetet më të zhvilluara, ku atje përveç që pagat i kanë aq të mëdha sa që ne vetëm në ëndërr mund t’i shohim, infrastrukturën shkollore të rregulluar në atë masë që tek ne ngel vetëm si ideoprojekt, nuk iu mungon materiali dhe mjetet e konkretizimit që ua siguron shteti. E si veprojnë në këto rrethana edukatorët tanë?!…
Shpeshherë për të realizuar një projekt iu duhet të skuqen para prindërve që t’iu kërkojnë të holla që të arrijnë deri te arritja e synimit e shumë shpesh ndodhë të ndajnë nga buxheti i tyre por edhe të shkëmbejnë mjete me kolegë që i bartin nga shtëpitë e tyre apo i huazojnë diku siç janë llaptopët e projektorët.
Përpunimi i planprogrameve vjetore, javore e deri te ato ditore do punë në shtëpi. Sa kohë shpenzon për interpretimin e tyre, dy herë më shumë shpenzon për përpunimin e tyre. Ndryshe është të mësosh për një provim, ndryshe është të përgatitësh një mësim për dhënie, ai kërkon kohë dhe do thjeshtëzim aq të madh që të jenë në gjendje t’a përvetsojnë nxënësit me nivele të ndryshme të suksesit .
Një pyetje që ua kisha parashtruar prindërve është se a thua mund ta vërejnë te fëmijët e tyre ndryshimin nga kur fillojnë vijimin e mësimit parashkollor deri në përfundim të klasës së pestë që llogaritet të jetë niveli i ulët i shkollës fillore.
Nga iu vjen ajo dituri, nga iu formohet ai vetëbesim fëmijëve, nga del kjo masë të shkolluarish në Kosovë kur kujtojmë një të kaluar jo të largët që njerëzit intelektual “numëroheshin në gishta”.
Në ditët e sotme shkolla është institucion i edukimit dhe mësimit dhe përveç që llogaritet të jetë një ndër shtyllat kryesore të shtetit ajo ndikon edhe drejtpërdrejtë në lehtësimin e prindërimit .
Prindi është i qetë kur e din që fëmija i tij nuk është në rrugë, shfrytëzon kohën në mësim dhe ecën hap pas hapi nga viti në vit. Prindërit dhe nxënësit janë vëzhgues të mësimdhënësve.
Të kaloj te gjërat më konkrete në të cilat unë eci, i preki çdo ditë, i përjetoj, sfidoj, jetoj, gëzohem, pikëllohem, mundohem e mos të flas sa shpenzohem. Mendoj se jemi e vetmja shtresë e shoqërisë kosovare tek e cila ende jeton humanizmi.
Jam mësimdhënëse e shkollës së mesme profesionale të teknikës në Gjilan , shkollë që përmbledh kryesisht nxënës të shtresave mos të them të varfërisë ekstreme por kryesisht fëmijë të prindërve të papunësuar (faji nuk është i mësimdhënësve për çështje të papunësisë në Kosovë).
Kryesisht tek ne regjistrohen nxënës me sukses mesatar, kurse me përjashtim të këtyre viteve të fundit me hapjen e disa profileve të reja si arkitekturë, informatikë etj. regjistrohen nxënës të shkëlqyer. Mos të hy në detaje e të filloj të flas për emocionet e lartshënuara.
Përveç mësimdhënies, që e kemi prioritet dhe e cila është fushë pa fund, ne mezi mund të përmblidhemi duke improvizuar, të afrojmë atë që duhet nxënësi ta përfitojë.
Ata vinë tek ne në moshë të adoleshencës e me kryerjen e maturës dalin të pjekur jo rastësisht, sepse një pjesë goxha të madhe të kohës e kalojnë në duart tona.
Shpesh përballemi me sëmundjet e ndonjërit, me humbjen e prindërve të ndonjërit ku ndjejmë dhe ndajmë me ta dhimbjen, iu ofrojmë kujdes dhe vëmendje, ndërsa sa i përket varfërisë shumë nxënësve në mënyra të ndryshme mundohemi të iu ndihmojmë pa i vënë në pozita të palakmueshme duke i furnizuar me libra, fletore, uniforma, material shpenzues, ekskursione,etj.
Shpeshherë na ndodh të përballemi. pa i menduar pasojat. edhe me prindërë apo kujdestarë që përdorin dhunë ndaj tyre, ne shpesh marrim përsipër edhe t’ua paguajmë edhe mujoret nxënësve të zonave rurale, t’u japim orë plotësuese pa kurrfarë kompensimi vetëm për t’i çuar përpara, të dëgjojmë për çdo ditë brengat e hallet e tyre e shpesh edhe të dëgjojmë dëshirat e tyre në mënyrë që t’i motivojmë për të ecur përpara. Jo rastësisht s’është thënë se mësuesi është prindi i dytë.
Çdo ditë secili mësues mund të shkruajë apo të rrëfejë nga një tregim të gjatë se si kalohet me nxënës sidomos në mosha të adoleshencës, moshë kur nuk mundet as prindi t’i menaxhojë. Është një moshë kur mendojnë se vetëm ata kanë të drejtë dhe vështirë është t’i bësh për të dëgjuar por përkundër faktit ne japim djersën e fundit duke përdorur metoda nga më të ndryshme që përveç që mësojnë ata dhe edukohen .
E këta të rinj pas kryerjes së maturës vërshojnë qytetet universitare dhe me ta krenohet gjithë atdheu.