Organizuar nga Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Gjilan, në ambientet e Fakultetit të Gjilanit “Kadri Zeka” është organizuar promovimi i veprës “Lufta e Trojës – luftë pellazge-ilire” e autores prof. dr. Elena Kocaqi.
Fillimisht është paraqitur historiani mr. Gazmend Arifi, i cili ka theksuar se ky libër trajton një temë të rëndësishme, ngase sjell një të vërtetë të madhe që i shërben njohjes të të kaluarës sonë. Arifi këtë libër e ka cilësuar si një kontribut shumë të madh për njohjen e të kaluarës sonë.
Mr. Naim Musliu, kryetar i degës së Lidhjes së Historianëve “Ali Hadri” në Gjilan, ka folur për aktivitet e kësaj lidhjeje që është shumë active, duke paralajmëruar aktivitetet e radhës që do të mbahen në kuadër të “Flakës së Janarit”. Ai e ka çmuar lart librin e Kocaqit, kurse mr. Blerim Haziri është paraqitur me një vështrim rreth librit “Lufta e Trojës – luftë pellazge-ilire” e autores prof. dr. Elena Kocaqi.
Sipas Hazirit, ky libër trajton Luftën e Trojës nga kontesti historik e për këtë ngjarje janë shkruar shumë vepra nga autorë antikë. E veçantë e këtij libri është se autorja Kocaqi sjell fakte të reja që kjo ka qenë një luftë e fiseve ilire dhe se ka një ngjarje krejt ndryshe, e patrajtuar deri më tani.
Vetë autorja dr. Elena Kocaqi, ka theksuar se ajo ka mëtuar që këtë vepër t’a shkruaj në mënyrë objektive. Ajo nuk la pa përmendur dardanët antikë, duke theksuar se Kosova e meriton të mbajë emrin Dardani, ngase sipas saj dardanët e Trojës dhe ata ilirë ishin të të njëjtit fis.
Kocaqi tha se studimi i saj është bazuar tek autorët antikë dhe se sipas saj Homeri nuk është burimi kryesor për Luftën e Trojës.
“Në Luftën e Trojës pjesëmarrës ishin ilirët. Historia u manipulua dhe nuk ka asnjë të dhënë se në të luftuan grekët”, tha Kocaqi, sipas të cilës të dyja palët ndërluftuese ishin pellazge dhe ilire, të cilët janë popujt më autoktonë, andaj sipas kësaj autoreje duhet të marrim pjesën e historisë sonë që e meritojmë dhe se shqiptarët duhet t’a shkruajnë historinë e vet.
“Të ndërgjegjësohemi e të integrohemi njëri me tjetrin”, ka porositur Kocaqi, që u është përgjigjur pyetjeve të pjesëmarrësve./kryelajmi.com/.