Rreth 20 mijë punëtorë të shërbimit civil në Kosovë pritet të hyjnë në grevë në fund të muajit janar, nëse nuk u plotësohen kërkesat për rritje të pagave, sipas parimit, pagë e njëjtë për pozitë të njëjtë.
Këtë e tha për Radio Kosovën Mursel Zymberi, kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë të Kosovës, i cili shtoi se këta punëtorë janë të vetmit që pagën bazë e kanë rreth 340 euro.
Fundi i muajit janar mund t’i gjejë në grevë rreth 20 mijë punonjës të shërbimit civil në Kosovë, nëse pagat e tyre nuk nivelizohen me sektorët e tjerë të punës, tha kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë në Kosovë, Mursel Zymberi.
Sipas tij, shërbyesit civilë janë të vetmit të cilëve nuk u është rritur asnjëherë paga bazë, pas rritjes së pagave nëpër sektorët e tjerë.
“Nëse do të vërehet ndarja në mes të shërbyesve publikë, favorizimit, kjo nuk do të tolerohet në asnjë mënyrë nga ana e shërbyesve civilë, dhe kam trysni të madhe shumë nga të gjithë sektorët, qoftë nivelit komunal por edhe ministrive, që të fillohet me masa sindikale, greva dhe protesta. Unë jam ithtar i shfrytëzimit të dialogut social, por besoj, i ka ardhur fundi. Po e presim vendimin e Qeverisë se si do të na kategorizojë”, tha Zymberi.
Zymberi thotë se punonjësit e këtij sektori pagën bazë e kanë më të ulët se paga mesatare në Kosovë.
“Një numër i madh i shërbyesve civilë, përkundër përgatitjes që e kanë, varësisht se ku janë të punësuar, ende paguhen me koeficientin 5 apo me nivelin e pagave 320-350 euro”, thotë ai.
Andaj, Zymberi thotë se nëse projektligji i pagave do të miratohet sipas formës aktuale, administrata e shtetit do të paralizohet.
Në rast se futet në grevë shërbimi civil, mund të them se do të jem në paralizim total të shtetit, sepse shërbimi civil, ose administrata, funksionon në të gjitha institucionet shtetërore, administrata funksionon edhe në arsim, shëndetësi, gjyqësi e prokurori, dhe në qeveri e komuna. Dhe kjo nënkupton se cila do të jetë pasoja. Unë, si kryetar i sindikatës, kam kërkesa të vazhdueshme që me çdo kusht të marrim iniciativë dhe të shfrytëzojmë të drejtën ligjore që na jep ligji mbi organizimin sindikal dhe ligji mbi grevat që të fillojmë edhe ne me greva.”
Punonjësit e shërbimit civil në Kosovë nuk janë përfshirë asnjëherë në rritjen e pagës bazë që nga viti 2008, ndërsa aktualisht paguhen rreth 400 euro, derisa një pjesë të kësaj page e marrin si shtesë të përkohshme.