Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe njëherit kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, për Gazetën Metro ka komentuar vërejtet e ShBA’së për Qeverinë e Kosovës dhe tre kushtet e Mogherinit, që kjo e fundit ua parashtroi palës kosovare, në takimin dy javë më parë në Bruksel, raporton Gazeta Metro.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë ditës së djeshme përmes një shkrimi me ton të ashpër, i kanë dhënë vërejtjen e fundit Qeverisë së Kosovës, për taksën në mënyrë që të vazhdojë dialogu.
E, dy javë më parë edhe shefja për Politikë të Jashtme në Bashkimin Evropian(BE), Federica Mogherini, i parashtroi tri palës kosovare tri kërkesa të qarta për të vazhduar dialogun me Serbinë, e që e para ishte heqja e taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe atyre të Bosnjë – Hercegovinës.
Kërkesa e dytë, ishte që në gjysmën e parë të këtij viti të përfundohet dialogu me ritëm të përshpejtuar, do të thotë më së largu në qershor, dhe e fundit, që marrëveshja finale t’i përcaktojë vlerat dhe standardet evropiane dhe nuk parasheh ndarje në vija etnike.
Lidhur me vërejtjet e ShBA’së dhe kushtin e parë të Mogherinit, Haziri ka thënë se të gjithë përfshirë Qeverinë e Kosovës, Kuvendin dhe Presidentin e Republikës, duhet që me urgjencë ta hapin dialogun me angazhime serioze, në mënyrë që të mos rrezikojnë përkeqësimin e marrëdhënieve me SHBA në veçanti.
Ata thotë Haziri, janë sponsor të kësaj lirie dhe pavarësie që e kemi sot, por edhe me parnerët europianë sepse orientimi ynë properëndimor lidhet ngusht me orientimin dhe integrimet euroatlantike.
‘Nuk guxojmë në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë t’i rrezikojmë marrëdhëniet e miqësisë me asnjë lloj kushti. Përkundrazi, duhet të gjejmë zgjidhje urgjente në mënyrë që normalizohen raportet dhe proceset në përgjithësi në Kosovë.
A suspendohet taksa, a shtrëngohet taksa apo a tërhiqet Serbia nga pozicione të caktuara, çështja është që me bisedime intensive mund të zgjidhet shumë shpejtë’, ka thënë Haziri.
Ndërsa, në lidhje me kushtin e dytë të Mogherinit, që për një periudhë gjashtë mujore të përfundojnë bisedimet, Haziri thotë se kjo ka të bëj me implementimin e kushtit të parë në Ballkanin Perëndimor.
‘Implementimi i Marrëveshjes së Prespës për Maqedoninë Veriore tashmë e ratifikuar në Kuvendin e Greqisë, krijon predispozita dhe ambient që kushti i dytë në Ballkan Perëndimor për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është në top prioritetin e Brukselit dhe Uashingtonit,’ ka thënë ai.
Sipas tij, tendenca është që të kjo çështje të përmbyllet me këtë legjislaturë të Parlamentit Europian dhe këtë strukturë të Komisionit Europian.
‘Tendenca është që të përmbyllet me këtë legjislaturë të Parlamentit Europian dhe këtë strukturë të Komisionit Europian. Nëse arrihet që ky proces të realizohet në format krejt të ri te dialogut, atëherë çështja është që perspektiva europiane për integrime edhe në NATO e BE dhe liberalizim të vizave për Kosovën, për Serbinë, Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Bosnen, do të qartësohet në samitin e ardhshëm të Zagrebit,’ ka thënë Haziri.
Te kushti i tretë, Haziri vlerëson se janë parime që duhet të aplaudohen dhe janë në përputhje me dokumentin e QUINT-it, të miratuar në qershorin e vitit të kaluar në Uashington, i cili i jep udhërrëfyesin e negociatave për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi dhe përfundon me një dokument ligjërisht të obligueshëm.
‘Ky dokument, pra ligjërisht i obligueshëm, do të duhej ta obligojë Serbinë ta njoh Pavarësinë e Kosovës, sovranitetin e saj dhe të drejtat e shqiptarëve që të jetojnë të lirë dhe të papenguar nga ana e Serbisë në Repblikën e tyre, shtetin e tyre dhe shtëpinë e tyre’, ka përfunduar Haziri.
Ndryshe, letra e fundit nga SHBA’të, po shihet si vërejteje e fundit e dhënë për Kosovën, dhe krejt çka mund të pasojë më tutje janë sanksionet./gazetametro.net