Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës, Mursel Zymberi në një intervistë, ka treguar arsyet se përse duke filluar nga nesër ky sektor do të hyjë në grevë.
Zymberi ka thënë se pas shumë përpjekjeve për të arritur një marrëveshje nuk kanë pasur mirëkuptim të plotë nga ana e Qeverisë. Ai ka theksuar se vazhdimisht ka pasur dallime të mëdha me sektorët e tjerë, dhe është lënë anash shërbimi civil.
Jo që s’kemi ditë, jo që nuk kemi guxua, problemi është që kemi kontribuo shumë për këtë shtet, dhe është e dhimbshme që problemet të zgjidhen përmes formave të grevave, protestave etj. Nuk përjashtohet mundësia edhe te protestat me ardhë, përderisa me ligjin për pagat e shërbyesve civil ka një dallim të madh me sektorët e tjerë”, ka deklaruar Zymberi.
Zymberi ka theksuar se vendimi për grevë është nxjerrë dje nga takimi i jashtëzakonshëm i dy kryesive qendrore të sindikatave të shërbyesve civil.
Si kërkesë e tyre është nivelimi i pagës me sektorët e tjerë, ku sipas Zymberit është një e padrejtë që ju bëhet shërbyesve civil.
“Ne kemi kërkuar nivelim të pagave me sektorët e tjerë në kuadër të shërbimit publik të Kosovës, ne nuk duam ta ngufatim këtë shtet me kërkua paga 1 mijë apo 2 mijë euro…Sado që ka kuleta e shtetit me ju dhanë sektorëve të ndahen në mënyrë proporcionale, ne nuk kërkuam rritje përderisa nuk pat për askënd…”, tha Zymberi.
Ai shtoi se në bazë të informatave që kanë, komisioni parlamentar ka aprovuar një ngritje prej 0.20% duke filluar nga koeficienti 2.7 i cili kalon në 2.9 deri në koeficientin 1.45 i cili mund të bëhet 1.65.
Një zyrtar në Kuvendin e Kosovës është rendit me koeficientin 3.2 e që pritet me marrë rrogën mbi 800 euro, një zyrtar në ministri mbetet me koeficient 2.15 që mund të jetë në 460 apo 470 euro, e që në komuna ndoshta do të jetë edhe më i ultë. Për këtë e lë fajtor ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilar, dhe nëse del ashtu siç e kemi parë ne versionin e parë, ky ligj është i papranueshëm”, u shpreh Zymberi.
Greva e cila do të nis nesër do të jetë një orësh nga ora 10 deri në orën 11, ndërkaq nuk dihet se kur do të përfundojë. Zymberi theksoi se kjo grevë po ju imponohet shkaku i dallimeve në paga që po ju bëhen shërbyesve civil.
Vullneti jonë nuk është për të filluar grevën, është imponim, greva do të zgjasë për aq sa Qeveria dhe Kuvendi të reflektojnë dhe të shohin rolin e shërbyesve civil. Sa herë që ka pas ngritje në sektorët e tjerë, gjithmonë ka pas dallim për shërbyesit civil. Ne vetëm kemi kërkuar nivelim, nëse kuleta e shtetit çelet për krejt duhet të gjithë të marrim në mënyrë të barabartë”, u shpreh Zymberi, duke shtuar se asgjë nuk përfundon mirë me kokëfortësi nga asnjëra palë.
Kryetari i SSHCK-së, pati edhe një mesazh për Qeverinë, duke i paralajmëruar se nëse nuk arrihet kompromis, atëherë nuk do të ketë qetësi.
“Më është thënë verbalist se nesër komisioni do të del me versionin përfundimtar të sistemit të pagave, dhe ne do të shohim pozicionin tonë, dhe nëse nuk do të ketë nivelim të pagave me sektorë të tjerë nuk ka me pas qetësi sociale, këtë duhet ta kuptojë qeveria. Greva do të vazhdojë dhe nuk e di se sa do të zgjasë, por nëse pakënaqësia sociale futet thellë në shërbimin civil mund të them se do të ketë paralizim të shtetit, dhe ne nuk mbajmë përgjegjësi nëse nuk ka me pas barabarësi për të gjithë”, tha Zymberi.
Ai shtoi se nga ana e Qeverisë nuk guxon të ketë barrikadim, dhe se ajo duhet t’i trajtojë të gjithë njëjtë./ Telegrafi/