Me fillimin e grevës në ditën e 11-të, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka vizituar grevistët në komunën e Gjilanit, gjegjësisht në SHFMU ,, Ibrahim Uruqi” ne Bresalc, në çerdhen “Ardhmëria 2”, në SHFMU “Selami Hallaqi” dhe Gjimnazin “Zenel Hajdini” .
Sipas njoftimit për media, delegacioni i SBASHK-ut me grevistet bashkëbiseduan shtruar dhe shprehën brengosjen se edhe në ditën 11 të grevës, institucionet e Kosovës nuk po krijojnë gatishmëri për t’i plotësuar kërkesat e punëtorëve të arsimit, ishte kërkesë e të gjithë grevistëve që në asnjë formë mos të ndërpritet greva edhe nëse fillohet me veprime tjera sindikale, së paku pa i plotësuar kërkesat tashmë të njohura ose tërheqja e Ligjit.
Vlen të theksohet se prezente ishte edhe kryetarja e prindërve e komunës së Gjilanit, e cila u shpreh në emër të prindërve që përkrahin kërkesat e mësimdhënësve, duke apeluar që institucionet të angazhohen në realizimin e tyre.
“Sipas informatave të marra nga Këshillat Grevistë Komunal, rezulton se i tërë sistemi arsimor nga çerdhet deri te universitetet ishin në grevë. Këshilli Qendror Grevist ,e as udhëheqësia e SBASHK-ut, edhe gjatë ditës së sotme nuk kanë pasur asnjë takim me asnjë institucion, e as udhëheqës të institucioneve në nivel lokal, e as në nivel qendror. Edhe njëherë, ju bëjmë apel institucioneve qendrore, në veçanti ministrit Bytyqi, që të jep kontributin e tij në Qeverinë e Kosovës, për realizimin e kërkesave ose largimin e Ligjit të pagave, përndryshe grevës nuk i shihet fundi”, thuhet në kumtesë, përcjell KosovaPress.
Nesër, pikërisht në ditën e 12-të të grevës, kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj, së bashku me Këshillin Qendror Grevist, do ti vizitoj grevistët në komunën e Ferizajt, pikërisht ne ora 9:15 ne çerdhen “Ardhmëria Jonë”, në ora 9:45 SH.F “Gjon Serreqi” dhe në ora 10:20 SH.M ,, Dr Shaban Hashani” .