Deputetët e Kuvendit të Kosovës që vijnë nga rajoni i Gjilanit, siç po duket vendin e tyre po e kujtojnë vetëm nëpër fushata zgjedhore, atëherë kur edhe më së shumti u duhet për vota, transmeton Plus Televizion.
Deputetët, Zenun Pajaziti, Ahmet Isufi, Lirije Kajtazi, Valentina Bunjaku – Rexhepi, Imet Rrahmani, Ismajl Kurteshi, Sami Kurteshi, Besa Baftiu, Shemsi Syla dhe Salih Salihu, nuk është se po merren shumë me nevojat, shqetësimet dhe kërkesat e votuesve të tyre.
Në një postim të Televizionit Plus, ku u është kërkuar qytetarëve të shprehin komentet e tyre se sa janë të kënaqur me punën që bëjnë të zgjedhurit e popullit, shihet se anamoravasit nuk janë të kënaqur me përfaqësimin në nivelin qendror nga ana e atyre që i votuan.
Ka mjaftuar një fotografi e përbashkët e 10 deputetëve nga anketa online që të provokojë kritika të ndryshme në adresë të tyre.
Komente të shumta janë lënë kundër deputetëve. Ndër to bien në sy komente që shprehin revoltën e lexuesve dhe zhgënjimin për siç thonë ata, mos angazhimin e deputetëve ani pse ata janë aty që të ngrisin zërin dhe të ofrojnë zgjidhje për problemet e qytetarëve, por kjo nuk po ndodh sa duhet.
Anamorava është lënë pasdore që nga paslufta dhe projekte kapitale në këtë rajon për zhvillim ekonomik nuk erdhën asnjëherë dhe ato investime të pakta që u bënë erdhën me shumë vonesa. Qytetarët, një pjesë bukur të madhe të fajit ua hedhin edhe liderëve lokal, të cilët siç po duket nuk po e kanë fuqinë ndikuese.
Gjilani prej kohesh pret fillimin e ndërtimit të Zonës Ekonomike, Vitia me vite të tëra pret një kyçje në autostradën “Arbën Xhaferi”, gjithashtu edhe Kamenica ka mbetur e neglizhuar dhe pa përspektivë, dhe përveç deputetit Salih Salihu, i cili në fjalimet e tij bënë presion për të investuar në këtë rajon, asnjëri nga deputetët e tjerë nuk është dëgjuar ndonjëherë në fjalimet e tij duke përmendur Gjilanin, Vitinë e aq më pak Kamenicën, ani pse me votat e qytetarëve të Anamoravës u ulën në karrigen e Kuvendit. Gjilani përveç autostradës “Agim Ramadani”, nuk ka përfituar ndonjë projekt të madh nga asnjëra Qeveri, madje edhe kjo autostradë është devijuar me trasenë e saj të re duke e fragmentarizuar këtë rajon dhe duke e lënë zorrë qorre Vitinë dhe Kamenicën.
Anamorava historikisht ka shërbyer si hambarë votash për rajonet e tjera të Kosovës, në mungesë të lidershipit, e ky fakt është shfrytëzuar me shumë mjeshtri dhe fines nga liderët e të gjitha rajoneve të tjera të Kosovës.
Por edhe këta deputetë që i kemi aktualisht, e që janë 10 nga rajoni i Anamoravës, nuk kanë vullnetin dhe guximin të bëjnë presionin e nevojshëm për të sjellë investime në këtë rajon në zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturorë të saj.
Interesi i anamoravasëve është që në Kuvend të kenë sa më shumë deputetë që do të mbrojnë interesat e qytetit të Gjilanit dhe të Anamoravës në përgjithësi. /PlusTv/
“Argatë të Llapit, Dukagjinit e Drenicës”, i quajnë qytetarët, deputetët nga Anamorava
Ndani këtë artikull