Spikamë të veçantë ka trajtimi i femrave në mentalitetin shqiptar qysh nga kohët e lashta, fenomen ky që ka lënë pasoja ende në shumë familje kosovare. Në disa raste kjo ka të bëjë me kufizimin e lirisë së femrës për t’u arsimuar e në disa të tjera për të pasur të drejta të barabarta me gjininë e kundërt, specifikisht me vëllezërit e saj, por dhe me ushtrimin e profesionit që ajo mund ta pëlqej, por që ndoshta mund të jetë një profesion që më shumë ushtrohet nga gjinia e kundërt dhe se kjo sipas bindjeve të së kaluarës: “Kjo Punë nuk bën për femra”.
Në anën tjetër po të marrim si shqyrtim hapat sfidues se çfarë mund të ketë kaluar një femër në pozitë, padyshim se nga fjalët e saj mund të shohim shumë e shumë aspekte të: përbuzjes, nënçmimit, ngacmimit, dhunës së ndryshme si verbale, psikike, madje dhe në shumë raste dhe atë seksuale që mund të ketë përjetuar nga eprorët e saj ku ajo mund të ketë punuar, por dhe ku punon aktualisht.
Rrjedhimisht thuajse në çdo veprimtari shoqërore ku ka qasje gjinia femërore ende ballafaqimi me këto “Anomalitete Psikike” është i pranishëm me të madhe, jo pse institucionet nuk mundohen të ju ofrojnë trajtim të barabartë të dy gjinive, por se rrënjët e sjelljeve ç’njerëzore kanë bazën e fortë, që nga koha e aplikimit të “Kanuneve”. Veçmas kësaj megjithëse ekzistojnë përkatësi të mëdha ligjore për femrën, në anën praktike jo që nuk zbatohen të gjitha, por dhe ato të zbatueshmet, bëhen vetëm sa për të plotësuar të ashtu quajturën “Kuotë Gjinore”, ani pse shumë femra ndoshta mund të kenë super aftësi e shkathtësi në një numër të madh të fushë-veprimtarive shoqërore, thënë shkurt, sa për të thënë dhe ne kemi femra në institucionin apo partinë tonë.
Kur i qasemi politikës, femra në këtë fushë, në pjesën më të madhe vazhdon të mbetet “Numër Vote” dhe jo person adekuat për të udhëhequr një subjekt, komunë apo vetë shtetin, me paragjykimin se ajo është për punë më të vogla: mësuese, profesoreshë, mjeke, që të ketë më pak kontakte me meshkuj, se shtetin “Ajo s’din ta drejtoj”! Por, për të arritur pozitën e merituar ajo kalon zi e më zi, si nga: të sharat, fyerjet, ngacmimet seksuale prej individëve të ndryshëm si brenda subjekteve politike, por dhe jashtë tyre. Ajo përjeton ankthin për të ardhur deri te një vend pune, duke u ofenduar nga rrethi e “Punëmarrësit” se: “Pa t’shti n’dorë s’ka vend pune” dhe asnjë votë nga shoqëria e gjerë.
Po ta prekim arsimimin se sa është e shkolluar ajo e sa duhet të jetë, përsëri vazhdon të jetë më e ulët se gjinia e kundërt, sepse ende vazhdon avazi i vjetër që: “Që djalin duhet shkolluar shumë më shumë sesa Vajzën”, në shumë familje dhe jo barabarsisht deri në arritjen e ambicieve të dëshiruara që mund të ketë secila femër, gjithnjë në bashkëlidhje me mundësitë socio-ekonomike që mund të ketë një familje kosovare.
Kundrejt kësaj po të jetë edhe e mbi arsimuar, shumë punë më shumë vazhdojnë të ju besohen gjinisë mashkullore se femra NUK din aq sa mund të jetë i aftë një mashkull, duke mos ju qasur aftësive psikike, por atyre fizike që mashkulli ka forcë më të madhe, sesa vet ajo.
Fenomen tjetër që i privon të drejtat elementare të femrës, për të arritur dhe krijuar një karrierë të saj, është dhe fakti i detyrimit të martesave të hershme, vetëm pse ajo mund të ketë kaluar mbi të 20-tat e pas kësaj moshe mund të “Ngelet Beqare” tërë jetën, tabu kjo që i prek shumë fshatra të Kosovës se “Femra është e derës së huaj” dhe s’ka vend te babai pas kësaj moshe, përkundër kontributit të saj që nga lindja e deri në atë moshë për atë familje.
Shkruar nga:
PhD.Can. Besjana Rexhepi
Viti