Vetëm gjatë muajit të kaluar 7 vetë kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në komunikacion, përderisa ditë më parë një grua shtatzënë humbi foshnjën dhe vetë është në rrezik për jetë si pasojë e përplasjes nga një kamionetë. Duke u bazuar në statistikat e Policisë, mesatarisht rreth 40 aksidente në ditë ndodhin në rrugët e Kosovës, shkruan Gazeta “Zëri”.
Ministria e Infrastrukturës në fund të muajit maj të këtij viti do ta implementojë projektin për menaxhimin inteligjent të rrugëve.
Zëvendësministri i kësaj ministrie, Rexhep Kadriu, në një prononcim për “Zërin” është shprehur se Ministria ka marrë disa masa për parandalimin e aksidenteve e që njëra ndër to është edhe vëzhgimi i rrugëve nga radarët me kamera.
“Diku nga fundi i majit jemi duke e implementuar me qeverinë hungareze pilotprojektin e ITS-it, menaxhimin inteligjent të rrugëve të Kosovës, që do të thotë kjo se brenda pak muajve do t’i kemi edhe radarët me kamera nëpër rrugë të Kosovës në 22 pika. Duam realisht ta menaxhojmë këtë komunikacion dhe qytetarët ta ulin shpejtësinë e të mos vozitin në ato kushte ku edhe rruga është e papërshtatshme, në këtë mënyrë nuk do të lejojmë më që qytetarët të kenë tejkalim të shpejtësisë”, është shprehur Kadriu.
Kadriu vlerëson që pavarësisht se rrugët qëndrojnë mirë, ndër arsyet e aksidenteve janë edhe sinjalizuesit e rrugëve. Ai thotë që prej buxhetit të këtij viti janë ndarë afër 4 milionë euro, të cilat do të ndihmojnë për shenjëzimin e rrugëve.
“Sa i përket kualitetit të rrugëve dhe pjesës së asfaltimit jemi mirë, mirëpo nuk jemi mirë në pjesën e sinjalistikës horizontale dhe vertikale, e cila mungon në vendin tonë. Në vitin e kaluar kemi kontraktuar kompanitë tona, të cilat kanë filluar vendosjen e vijave të bardha të mesit dhe anësore dhe po përkushtohemi në këtë pjesë, sepse e dimë që ka një rëndësi shumë të madhe shenjëzimi i rrugëve”, ka thënë ai.
Kadriu thotë se kanë bashkëpunim të mirë me Policinë dhe se, sipas raportimeve që marrin nga ata, ndër shkaktarët kryesorë të aksidenteve janë shpejtësia, moskontrollimi i veturave etj.
Zëvendësministri ka paralajmëruar gjithashtu se në muajin e ardhshëm Ministria do të fillojë një fushatë sensibilizuese për parandalimin e aksidenteve dhe vetëdijesimin e ngasësve. /ZERI