(Me rastin e 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës)
Autor: Rashit Zylfiu
Për vatanin ka shkruar poeti e shkrimtari. Sa njerëz kanë sakrifikuar për ta ruajtur dinjitetin dhe kufijtë e tij. Njeriu ndihet rehat kur është brenda tij, ndërsa e kap malli kur i mungon. Vatanit ia di vlerën ai që ka derdhur djersë, gjak dhe atij që i mungon.
• Çfarë është vatani?
Vatani është fortesë njerëzore që strehon të gjithë qytetarët e saj që janë të lidhur me zakonet, traditat, fenë, gjuhën dhe trashëgiminë e përbashkët. Atdheu është foleja që mbledh të gjithë njerëzit, mbulesa që i mbulon të gjithë me ngrohtësi, dashuri, mëshirë dhe paqe, që i mbron ata nga rreziqet e jashtme që kërcënojnë sigurinë dhe ekzistencën e tyre.
• Koncepti islam për vatanin
Islami si faktor i rëndësishëm në shoqëri nuk ka dyshim se ka konceptin dhe platformën e vetë hyjnore që ndihmon çdo herë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë së jetës njerzore. Këtë Islami e realizon përmes 5 objektivave madhore që ka, që janë komponentët kryesorë të stabilitetit të një vendi.
Islami përmes objektivave të tij synon:
– ruajtjen e jetës
– ruajtjen e mendjes
– ruajtjen e pasurisë
– ruajtjen e nderit
– ruajtjen e fesë.
Nuk ka dyshim se këto objektiva ndihmojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë nëse merren parasysh dhe implementohen me mekanizmat përkatës.
Dashuria për vendin është një çështje e natyrshmërisë së pastër, që Islami nuk e mohon, por e përkrah. Krahas saj ai i obligon pjesëtarët e saj të jenë besnikë dhe të gatshëm për ta ruajtur pragun e shtëpisë me pasurinë dhe jetën e tyre. Islami nxit çdo herë që besimtari të jetë produktiv dhe i vyeshëm për veten, familjen dhe vendin e tij, që çdo herë të mundohet të avancojë në të gjitha fushat.
Këtë koncept të Islamit e kishin të qartë edhe hoxhallarët tanë. Ky ishte heroi i kombit, Mulla Idris Gjilani, i cili la fjalën e tij të artë, që mbeti moto që i mbijetoi kohërave: “Pa fe s’ka atdhe, pa atdhe nuk ka fe.”
Mulla Idrisi Gjilani ishte këmbëngulës kundër shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi. Ai theksonte se “… ne nuk guxojmë t’i lëmë trojet tona, varret e gjyshërve e stërgjyshërve tanë, nuk guxojmë ta lëmë tokën tonë të shkretë. Allahu në Kur’an na ka bërë përgjegjës për vatanin e kombin.”
• Pse e duam vatanin?
Ka shumë arsye pse një person mund ta dojë vendin e tij. Ta duash vatanin është detyrë individuale, ta mbrosh atë nga çdo rrezik që mund të ndikojë në sigurinë e kombit tënd, të pasurisë individuale apo kolektive. Atdheu duhet me përkushtim dhe pa kushtëzime. Vatani duhet sepse është:
– Vend i kujtimeve
Vatani është vendi i kujtimeve sepse në çdo cep, në çdo gur njeriu nuhat aromën e së kalurës së tij nga ditët e fëmirisë e shumë kujtime të tjera. Kujton gjyshërit, të parët tanë, të cilët me mund dhe sakrificë ndërtuan këtë vend dhe kjo na rrit ndërgjegjen e kujdesit për vendin tonë. Kujtimet dhe vatanin nuk i do vetëm ai që e ka tradhtuar apo i ka bërë keq vendit të tij.
– Djepi i njerëzimit
Është një ndër shkaqet që ne e ndajmë me njerëzit sepse kemi të njëjtat shqetësime, gëzime dhe probleme. Atdheu ka përparësi sepse ka bukurinë e vet në mozaikun e saj, në diversitetin e popullit dhe pasurinë e tij në trashëgimi kulturore dhe historike.
– Ndjenja e mbrojtjes
Ndjenja e mbrojtjes është një ndjenjë e natyrshmërisë sepse njeriu ndihet i mbrojtur nga fatkeqësitë në vendin e vet dhe këtë begati mund ta kuptojë vetëm atëherë kur rrezikohet jeta.
– Sakrifica për atdhe
Njeriu duhet të ketë vetëdijen e ngritur për të qenë i gatshëm të sakrifikojë për atdheun e tij pa kompensim. Disa vatanin e shohin si një qese monedhash duke u nisur nga interesat egoiste pa i afruar asgjë.
• Vatani ynë ka nevojë
Tani vendi ynë feston 11-vjetorin e Ditës së Pavarësisë. Por ky dhe shumë përvjetorë nuk duhet të marrin kah dhe karakter formal të një organizimi të disa ceremonive dhe të mbyllet me kaq. Vendi ynë sot dhe çdo herë ka nevojë për një vizion të ri, të qartë, për një elan të brendshëm dhe mobilizim gjithëpërfshirës në të gjitha fushat e jetës për të qenë në nivelin e duhur.
Andaj koncepti i ri se çfarë ka nevojë vendi ynë nuk ka dyshim se është shumëdimensional. Dhe për këtë të gjithë duhet të punojmë nga vendi, profesioni dhe mundësit e veta.
Vatani ynë ka nevojë:
1. Të sigurojë liri dhe të drejta të barabarta pa diskriminim brenda shoqërisë.
2. Të sigurojë kujdesin shëndetësor të individit dhe familjes.
3. Të japë mundësi për të krijuar kreativitet dhe zhvillim të infrastrukturës për të realizuar idetë kreative.
4. Të ketë drejtësi për çdo individ në atdhe, që të gjitha shtresat e popullit të ndihen të barabartë, pa diskriminime.
5. Të luftojë varfërinë e skajshme dhe dukuritë negative.
6. Të krijojë kushte për shkencë, hapjen e biblotekave dhe inkurajimin për lexim te gjeneratat e reja.
7. Vendi ka nevojë për njerëz besnikë, të dijshëm dhe të guximshëm për t’i çuar para proceset e mëdha në vend.
8. Vendi ynë ka nevojë që faktori fe të ketë vendin e merituar me të drejtë sikurse edhe faktorët e tjerë relevantë.
9. Vendi ynë ka nevojë për shkencëtarë, dijetarë që dalin dhe e thonë të drejtën dhe të duhurën për vendin e tyre.
10. Vendi ynë ka nevojë për mësues, hoxhallarë, profesorë, mjekë, policë, ushtarakë dhe të gjitha profilet e tjera që e kryejnë punën e tyre me dinjitet dhe përkushtim ndaj atdheut.
Zoti ynë, na ruaj vendin, dhuroja të mbarën dhe mundësona të na udhëheqë më i miri, më i dijshmi dhe më i drejti nga mesi ynë!
Zot, ruaje vendin tonë nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm! Kush dëshiron t’i bëjë keq dhe ta cenojë sigurinë, pronën dhe pasurinë e këtij vendi, ktheja kurthet e tyre në asgjësim!
Zot, ruaje dhe bekoje Kosovën! AMIN!