Për shtëpinë e shëndetit, numrin e mjekëve, numrin e banorëve të Gjilanit…
——————————————————————————————-
KTHIMI NË KOHË!
Rrëfim i mrekullueshëm i dr, Shevqet Mehmetit – lexoni vazhdimin e tretë…
KUJTIMET NGA RRUGA KRYESORE E QYTETIT (3)
Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!
Në pjesën e tretë të rrëfimit të dr. Shevqetit, ai na rikthen në kohë, duke na sjellur episode të reja për jetën e dikurshme në Gjilan, me fotografi e fjalë: Cili ishte klubi më i mirë i hendbollit? Cili ishte fotografisti i njohur gjilanas? Sa banorë kishte Gjilani dikur? Cilët mjekë punonin në Shtëpinë e Shëndetit, atëherë? Kur filloi punën e mjekut dr, Shevqeti? Etj, etj…
——————————————————————————————————–
Ah Gilan, ah zaman…! Ah Gjilan, ah kohë…!
Pse t’i shkulën plepat? Pse ta hoqën kalldërmin? Pse t‘i shkatërruan dyqanet me çepenka? Pse po ta mohojnë fëmijërinë tënde dhe ty të prezantojnë si plak pa ndjenja dhe fëmijëri…
3.
Në Shtëpinë e Armatës që e vizitonim si fëmijë çdo 22 dhjetor, kur na dërgonin mësimdhënësit, ndërsa të dielave në fushën prapa godinës luanin ekpet e hentbollit dhe të basketbollit. Me 1964 është luajtur loja ndërkombëtare në mes të klubit hentbollistik “Partizani” dhe “Telafferit” të Aleksandrisë nga Egjipti. Publiku kishte ‘mbështjellur’ fushën e hendbollit – të katër anët e fushës ishin mbushur me spektatorë. Ne, fëmijët, e kërcyem murin e Xolkit dhe u futëm në oborr, ku ishte fusha.
Në Shtëpinë e Armatës kohe pas kohe prezantohej ndonjë film dokumentar, pasi kishte sallën shumë të bukur, ndërsa me 1973, gjimnazistët e Gjilanit aty mbajtën festimin e mbrëmjes së maturës.
Përballë Shtëpisë së Armatës ishte shtëpia e Mirës dhe rruga e Novobërdës. Shtëpia e Mirës ishte karekteristike. Mira ishte ndër pionieret e fotografisë gjilanase, te unë janë fotografitë e punuara nga ai që nga viti 1953. Ai u shperngul në Nish dhe punonte fotograf në Fakultetin e Mjekësisë atje, ndërsa pas vitit 1978, unë punoja diapozitivat te ai për punimet e mia shkencore. Shumë foto të Gilanit i kam huazuar nga “foto Mira”. Afër shtëpisë së “foto Mirës” e kishte shtëpinë Sadete ‘hanmi’, hoxha ‘hanmi’ dhe Muharrem ‘aga’, i cili u shpërngul në Stamboll, ky e kishte djalë Nurin. Muharrem ‘aga’ kishte shumë dele.
Dr. Zeqirija Sait kishte filluar të ndërtonte shtëpinë. Me herët aty kishte qenë ahuri i “16 Nentorit”, ku kuajt i mbante Riza Mihovci – arabaxhiu, pastaj ishte nallbanhane e Muhamedit te Tahir Kërqes nga rruga e Balecit. Sadet ‘hanmi’ dhe hoxha ’hanmi’ ishin me autoritet në mesin e femrave, kishin lënë impresione të mrekullueshme, për këtë e kishin fituar titullin “hanëm”, me mençurinë, sjelljet dhe veshjet e tyre.
Gilani me 1846 kishte pasur 1025 banorë, me 1961 – 12 mijë banorë, me 1971 – 23 mijë banorë , me 1981 – 32 mijë banorë. Gilanlite për qytetin thoshin se është i madh prej spitali deri te dollapi ujmit, prej Demë kovaçit (farkatarit)deri te garazha e vjetër e autobuseve, te “Bojanina”.
Ah Gilan, ah zaman…! Ah Gjilan, ah kohë…!
Me 1966 filloi punën Shtëpia e re e Shëndetit. Nmri i mjekëve ishte i vogel. Ishin këta mjekë: dr.Hyseni, dr. Xhevati, dr.Muhamedi( palestinez), dr. Zylfiu, ndërsa në stomatologji – dr.Ivani me bashkëshorten – Naden dhe dr.Jusufi.
Doktor Shevqeti tregon në këtë rrëfim se “me 2 tetor 1978 erdha si mjek nga Beogradi, fillova punën në ordinancën e dytë të katit të dytë në Shtëpinë e Shëndetit”. Drejtor ishte stomatologu Jusufi, ndërsa mjek ishin dr.Mile, dr.Mehmetaliu, dr.Ymeri, dr.Xhevati, dr. Dragan Marinkoviq dhe dr. Zoran Sharac. Punova deri në muajin prill të vitit 1979, kur kalova si mjek sekondar në Repartin e Kirurgjisë në Spitalin Rajonal të Gjilanit.
Prej Shtëpisë së Armatës deri te gaz-hanja nuk kishte ndonjë qarkullim të njerëzve, pos atyre që kishin shtepitë aty dhe ata që shkonin në Shtëpi të Shëndetit.
Jeta ishte dinamike prej tregut të gjlbërt deri te Shkolla Fillore “ Vuk Karaxhiq”, e cila ia kishte nisur punës me 1931.
Afër tregut të gjelbërt ishte klubi i biliardit “Zvezda”, në të cilën shkonin të rinjtë. Në vitet e 70-ta biliardi ne qytet ishte në modë, pra ishte trend.
Aty pranë ishte objekti i kadastrit, ku punonte xha Ismail Ahmetaj, baba i hentbollistit Muhamedit. Pranë objektit ishte çezmja, e njëjta sikur te ambulanca e vjetër.
Ah Gilan, ah zaman…! Ah Gjilan, ah kohë përjetimesh, kujtimesh të përjetshme…!
Pse t’i shkulën plepat? Pse ta hoqën kalldërmin? Pse t‘i shkatërruan dyqanet me çepenka? Pse po ta mohojnë fëmijërinë tënde dhe ty të prezantojnë si plak pa ndjenja dhe fëmijëri…Pse po ta mohojnë fëmijërinë e rininë tënde, rilindjen tënde, ecjen tënde nëpër kohë? Pse po t’i mohojnë ato ngjyra jete, shkollimi, zhvillimi e dashurie për jetën, për njëri-tjetrin, për respektin që ekzistonte!
Askush nuk mund ta shlyejë me gomë jetën, të kaluarën, e tillë siç ishte, sepse ajo ka gjurmë, ka farë, ka rrëfime e kronika pafund!
Autor i shkrimit: Dr. Shevqet Mehmeti/
/redaktoi për shtyp: N.Buzuku/