Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri në konferencën “ Zëri i popullit për finalen e madhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë se problemi në procesin e dialogut është mungesa e legjitimitetit politik dhe një konsensusi të përgjithshëm.
Ai ka thënë se për këtë proces është prodhuar zhurmë politike që sipas tij më së shumti nga partitë në qeverisje.
Haziri ka theksuar se dallimet esenciale pamundësojnë konsensusin më të gjerë më opozitën apo edhe shoqërinë civile lidhur me këtë proces.
“LDK si parti më e madhja opozitare e sheh dialogun si opsion, mjet për zgjedhjen e problemeve, por që duhet të ndërtohet mbi bazën e parimeve të qartësisë politike. Ne para dialogut, kemi kërkuar legjitimitet, kemi kërkuar, diskutuar, hulumtuar rrugë për të ndërtuar një konsensus për zgjidhjen e këtij problemi. Nuk mund të zgjidhim probleme me armikun shekullor pa një konsensus. Legjitimiteti është rruga e duhur. Ne nuk kemi hasur në mirëkuptim tek partitë në qeverisje. Sa herë përmendet legjitimiteti, përmenden numrat. LDK e ka ofruar legjitimitetin dhe dialogun e cila nënkupton rishikimin e plotë jo vetëm të Qeverisë por edhe institucioneve tjera të zgjedhura dhe strukturës së dialogut. Kjo krijon mundësi që legjitimiteti të ndërtohet në Kuvendin e Kosovës dhe mandej që ky të marrë për bazë vullnetin e shumicës dhe popullatës për platformën për zgjidhjen e probleme me Serbinë. Dialogu kohët e fundit ka pësuar metamorfozë dhe duhet me gjete rrugë tjetër për me i zgjidh problemet. Lus partitë që të mbyllen në zyre dhe të diskutojnë dhe të dalin me një qëndrim të njëjtë e jo qëndrime të ndryshme. Po ashtu, të jepet një datë, kur do të përfundoj procesi i dialogut dhe të merremi me çështje tjera të brendshme”, ka thënë ai.