Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!
Ah Gilan – ah zaman! Ah Gjilan – kohë o kohë!
Si festohej Shëngjergji në Gjilan? Pse nënat tona shkonin në teqen e qytetit? Si arrinin fëmijët të hynin në basenin te Baja? Kur ishte hapur Radio Gjilani? Kush ishin dy futbollistët e njohur të KF Crvena Zvezda e Gjilanit, etj, etj…
4.
/Pjesa e katërt/
Me 5-6 maj, të çdo viti, i tërë qyteti e vizitonte teqen “Sadi” të Tefik Shehut, që ishte e familjes Canaj nga Koretini (Kamenicë). Ai ishte trupshkurtër, temeprament, me një diksion të mrekullueshëm në të folur, me kapelen në kokë tipike për sheh. Në qytet gëzonte autoritet. Ne fëmijët për dritare shikonim “zikrin”, aty ishin koretinët, tërstenët,graincët, lipovicët.Aty ishte aktiv edhe Ymeri (nallbani) dhe Abdidushi (berberi). Ne teqen “Sadi”, zëri ushtonte, kokat e tyre lëviznin poshtë-lart; djathtas-majtas, e një femiut, duke shikuar çfarë po ndodhte, i mbeti koka në mes të parmakëve te vendosur ne dritare.
Grate e qytetit me vajzat e veta rrotullonin qeramidhe për ndonjë sëmundje ose për fatin e martesës.Rrugët ishin plotë, në rend të parë në mesditë, ndërsa nga Karadak mëhalla për Shëngjergj romët e kallnin qytetin me muzikë.
Baseni punoi deri rreth vitit 1965, kur edhe u mbyll. Aty punonte Qamili, kushëriri im. Ai nuk na lejonte pa para (pa pagesë) të laheshim, por ne e mashtrronim, qëllimin tonë e realizonim.
Në klasën time ishte Hyseni, e gjatë shkollimit në fillore edhe Sebahate Osmani, që pas shkollës së mesme ishte inkuadruar (punësuar) në Radio Gilan, i hapur me 1973. Ishte aktive edhe në teatër. Qemali, djali i Halim Graincës, ishte qendërsulmues i Crvena Zvezdës, ndërsa Ramadan Ahmeti ishte mesfushor i ekipit. Adem Hogoshti ishte futbollist, por edhe grindavec. Albani i Shefqet Zymberit kishte sjellur në Gjilan kompjuterin e parë personal, para vitit 1997.
Në Muhaxher mëhallë kishte shtëpine edhe Osman Brestovci, i cili kishte ardhur nga Livoçi i Epërm, pastaj ndertoi shtëpi në rendin e parë në Gavran, me 1973. Osmoni, qe është aktiv në ecje dhe vrapim, është nga Hogoshti. Bllaga e kishte shtëpinë në pjesën e epërme, ndërsa në pjesën e poshtme të rrugës, Sveta e kishte oborrin, ku dikur ishte nisur themeli i Shkollës Fillore “Selami Hallaçi”.
/Autor i shkrimit: Dr. Shevqet Mehmeti/
04.12.2018