Një serb disa ditë më parë është arrestuar pasi që i njëjti sipas Policisë dhe Prokurorisë, ka kryer tri vepra penale: sulm kundër rendit kushtetues, mashtrim dhe kanosje.
S.A që nga data 14 shkurt është vënë prapa grilave.
Burime të KALLXO.com brenda Prokurorisë kanë thënë se serbi dyshohet t’i ketë shërbyer shërbimit sekret serb por kjo pritet të konfirmohet nga hetimet.
Zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra i ka thënë KALLXO.com se më datën 17 shkurt të këtij viti ndaj të njëjtit është caktuar masa e paraburgimit nga ana e Gjykatës Themelore në Gjilan.
“Me datë 17.02.2019, gjyqtari i procedurës paraprake ne Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës se paraburgimit ndaj te pandehurit S. A.”, tha Shkodra për KALLXO.com.
I pandehuri dyshohet për kryerjen e tre veprave penale, si sulm kundër rendit kushtetues, mashtrim dhe kanosje.
“Mund të ju konfirmojë që i njëjti në vazhdimësi është paraqitur si përfaqësues i Organizatës “Diabeti””, tha tutje Shkodra.
Ai do të qëndrojë në paraburgim deri më 14 mars të këtij viti.
Arrestimi kryhet në një kohë kur aksionet e Policisë ndaj të dyshuarve për spiunazh janë shpeshtuar.
Gjatë ditës së djeshme tetë serbë u arrestuan e më pas u liruan në Brezovicë