Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se në 11 vjet shtet, Kosova asnjëherë nuk ka qenë në pozitë më të keqe si në çështjet e brendshme ashtu në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku po vihet në pikëpyetje partneriteti me ShBA-në.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në një konferencë për media, tha se pozita e keqe karshi ShBA-së ka ndikuar që për herë të parë në vitet e pasçlirimit kryeministrit të Kosovës t’i mohohet e drejta të udhëtojë në ShBA.
Sipas Hotit, dialogu është në rrugë pakrye, pasi, sipas tij, është themeluar një ekip dialogues jokushtetues, e i cili e ka kthyer Kosovën para pavarësisë.
Shefi i deputetëve të LDK-së kritika ka adresuar edhe për presidentin e vendit për moscertifikimin e anëtarëve të KQZ-së.
“Presidenti nuk është duke e kryer rolin e tij kushtetues dhe po lë në pasoja gjithë asamblistët dhe deputet, duke mos certifikuar anëtarët e KQZ”, tha ai.
Duke folur për taksën Hoti tha se është bërë strehë e plaçkitjes së madhe, që po bën Qeveria duke ndarë mjete financiare.
Pikërisht për këtë ai njoftoi se kanë kërkuar dy seanca të jashtëzakonshme të Kuvendit.
“Ne vlerësojmë se Kosova duhet të lirohet nga ky lidership aktual dhe zgjedhjet e reja janë zgjidhje”, shtoi Hoti.
Shefi i Grupit të deputetëve të LDK-së, përsëriti se korrigjim të kufijve nuk do të ketë dhe presidenti duhet të largohet nga kjo ide.