Hulumtimi i emisionit “Udhëve” në RTK ka gjetur se përveç kontrabandës, produktet e Serbisë po synojnë tregun e Kosovës edhe duke u përpunuar në vendet përreth, ku po marrin pastaj origjinën.
Taksa që ka vendosur Qeveria e Kosovës ka bërë që Serbia të mundohet të gjejë rrugë dytësore për të plasuar produktet e saja apo edhe lëndën e parë në Kosovë.
Ekipi i emisionit “Udhëve” në hulumtimin e bërë ka dokumentuar përmes xhirime ekskluzive se si tonelata të tëra të grurit janë zbrazur në Maqedoni pasi janë eksportuar nga Serbia.
Të dhënat zyrtare të Doganave të Kosovës, tregojnë se sasitë e grurit dhe miellit që janë eksportuar nga Maqedonia në Kosovë gjatë këtij fillim viti janë shumë më të mëdha se ato të vitit të kaluar.
Përmes pikës kufitare në Tabanoc, në Maqedoni depërtojnë qindra kamionë në ditë e që janë përplot mallra nga Serbia. Shumë nga këta kamionë, derisa ishte vendosur taksa karshi Serbisë dhe Bosnjës, vinin direkt në Kosovë.
Pas vendosjes së kësaj takse, ashtu siç ishte paralajmëruar nga ekspertë të ekonomisë, biznesmenët kosovarë dhe ata serbë kanë gjetur forma të reja të bashkëpunimit, që produktet e Serbisë të mos mungojnë në tregun e Kosovës.
Kështu, shumë produkte të domosdoshme që Kosova i ka sjellë direkt nga Serbia, po futen në treg përmes fqinjit të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë e që është Republika e Maqedonisë së Veriut.
Ky shtet, duke u bazuar në Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, përmes përpunimit të lëndës së parë që po e merr në Serbi, po u jep kryesisht miellit dhe vajit Origjinën e prodhuesit si produkt “Made in Macedonia”. Si të tilla, prodhimet nuk kanë nevojë t’i nënshtrohen taksës 100 për qind.
Qindra kamionë, që kryenin procedura të zhdoganimit në kufijtë e Kosovës, tashmë presin në terminalet doganore të Maqedonisë, për të kryer procedura të këtilla.
Shoferët e kamionëve nga Serbia që zbrazin grurin në Maqedoni kanë rrëfyer për emisionin “Udhëve” se grurin e prodhuar në Vojvodinë e sjellin në Maqedoni.
“Aktualisht janë katër kamionë duke u zbrazur këtu”, thotë Goran Mirosavljeviq, shofer i një kamioni me grurë që zbrazet në Maqedoni.
Pronari i mullirit ku zbrazet ky grurë thotë se eksportojnë vetëm për Maqedoninë. Mirëpo, ai nuk ka hezituar të tregojë se në raste kompani të caktuara blejnë miellin e përpunuar në Maqedoni dhe të njëjtin e sjellin në Kosovë.
Adriatik Stavileci, zëdhënës i doganave të Kosovës ka thënë se ka rritje të sasisë së importit nga Maqedonia.
E derisa debati për atë se a duhet apo jo të hiqet taksa në vend është thelluar, emisioni Udhëve ka kuptuar se kompanitë po provojnë të gjejnë rrugë të ndryshme për të futur produktet serbe në Kosovë. Së fundi, një kompani kosovare, ka tentuar që vajin “Dijamant” ta paraqes me origjinë nga Maqedonia. Në fakt, ky vaj është me origjinë nga Serbia dhe origjina është provuar t’i jepet përmes një faturë nga një kompani në Maqedoni. Por, e njëjta kompani është kapur nga doganat e Kosovës që e kanë detyruar t’i nënshtrohet taksës. Këtë e konfirmon ministri i tregtisë dhe industrisë, Endrit Shala. Kurse inspektori i tregtisë, Afrim Fana ka thënë se kanë gjetur sasi të specave të paketuar me origjinë nga Maqedonia e që i është vendosur logoja “Duaje tënden”. Kështu të njëjtit synohej të shiteshin në Kosovë si produkt vendor kosovar edhe pse të njëjtit eksportoheshin nga Maqedonia. Këto produkte janë kthyer mbrapa, bashkë edhe me një sasi të kërpudhave./rtk/