Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se vetëm të bashkuar miqtë do ta përkrahin shtetin e Kosovës.
Thaçi ka thënë se liderët e Kosovës do t’i forcojnë raportet speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), dhe se vendi do të anëtarësohet në OKB, NATO dhe BE.
Të bashkuar si popull dhe institucione kemi energji që të bëjmë hapa gjigand. Të bashkuar miqtë do të na përkrahin edhe më shumë. Kosova në të ardhmen e afërt do të bëhet pjesë e NATO-së e Bashkimit Evropian, OKB-së dhe do ti forcojmë raportet speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Thaçi.
Thaçi në ceremoninë e shënimit të 21 vjetorit të Epopesë së Lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka deklaruar se bota filloi ta kuptojë drejt Kosovën me luftën e lavdishme të UÇK’së, kjo ushtri u bë projekt i madhor kombëtar në historinë e shqiptarëve.
“Bota filloi ta kuptojë drejt Kosovën. Epopeja e UÇK-së dëshmoi se kthim prapa nuk kishte në luftën tonë për liri dhe çlirim. UÇK-ja u bë projekti më madhor kombëtar në historinë e kombit shqiptarë. Sot dhe gjithmonë nderojmë të gjithë dëshmorët e lirisë, invalidët, veteranët dhe gjithë qytetarët që u sakrifikuan për çlirimin e Kosovës. Nderojmë diasporën, që dhanë gjithçka për liri”, tha Thaçi./gazetametro.net