Ftesat e para nga Gjykata Speciale për ish-eprorët e UÇK-së kanë arritur para tre muajve në Kosovë, me ç’rast kanë ndodhur edhe intervistime në Hagë dhe në Prishtinë. Vlerësohet se ky çerekvit i aktivizimit të Speciales ka kaluar pa zhurmë, pasi nuk ka pasur edhe ngritje të aktakuzave, të cilat pritet të ndodhin gjatë muajve në vijim, shkruan gazeta “Zëri”.
Deputeti i AAK’së Ahmet Isufi ka thënë se Gjykata Speciale është politike dhe si e tillë nuk mund ta njollosë luftën e UÇK’së.
Sipas tij, nësë do të duhej të formohej një gjykatë, do të duhej të formohej për krimet e forcave serbe të bëra në luftën e fundit në vend, përcjell zeri.info.
“Kjo Gjykatë do ta ketë fatin e gjykatave tjera, të cilat janë munduar ta dëmtojnë imazhin e UÇK-së, por nuk kanë arritur dhe kjo gjykatë e ndërtuar politikisht mbi shpifje dhe mbi trillime të Beogradit nuk do të mundë të gjykojë asnjë nga pjesëtarët e UÇK-së, sepse në Kosovë ka ndodhur një luftë mbrojtëse dhe është luftuar kundër ushtrisë dhe kundër policisë serbe. Nëse është dashur të formohet një gjykatë speciale është dashur të formohet për Serbinë, për shkak të afro 13 mijë shqiptarëve të vrarë, të 1700 të pagjeturve, të 20 mijë grave të dhunuara dhe për shkak të të gjitha dëmeve që i janë shkaktuar Kosovës”, ka thënë Isufi për “Zërin”.
Tutje ai ka shtuar se kjo Gjykatë në mungesë të provave, po thërret “të predispozuar si të akuzuar”.
“Kjo Gjykatë në mungesë të provave materiale dhe të fakteve po thërret qoftë ata të cilët mund të jenë të predispozuar si të akuzuar, po ashtu edhe dëshmitarë e që tregon se këto akuza po duan t’i ngrenë me dëshmitarë të rrejshëm, të cilët do të dalin të pavërteta, sepse nuk ka asnjë argument që UÇK-ja ka bërë krime. Përkundrazi, është dashur të vlerësohet lufta e tyre dhe të gjithë ata që kanë luftuar për lirinë e Kosovës është dashur të shpërblehen e jo të malltretohen edhe pas 20 vjetësh”, ka theksuar Isufi./ZERI/