Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Dega në Gjilan ndodhet në procesin e brendshëm zgjedhor, ndërkohë që deri më tani ata që kanë shprehur hapur pretendimet për t’i prirë degës, janë Qemajl Mustafa dhe Flurim Arifi.
Ndërkohë, ish drejtuesi i kësaj dege me vite të tëra në të kaluarën, Izmi Zeka, aktualisht, anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së, këto zgjedhje brenda subjekti të tij, i sheh jo vetëm si këndellje dhe fuqizim të partisë, por edhe garancë për një fitore në zgjedhjet lokale të radhës, pra sheh fundin e pushtetit të LDK-së.
Zeka ka thënë se PDK-ja është një strukturë e qëndrueshme në Gjilan, pavarësisht humbjes në zgjedhjet lokale dhe se mendon që këto zgjedhje paraqesin edhe fundin e pushtetit të LDK-së në Gjilan. Sipas tij, kuadrot e PDK-së kanë mision përtej asaj partiake, kanë krijimin dhe kthimin e pushtetit te qytetarët.
Sa kam udhëhequr degën e PDK-së në Gjilan, pesë herë kemi fituar. Por kjo s’do të thotë që ne të mbetem peng të rezultateve, qoftë fituese, apo humbëse në zgjedhjet e fundit. PDK në Gjilan po zgjohet nga një moment krize dhe besoj fuqishëm se në zgjedhjet e ardhshme, ne do të udhëheqim me Komunë”, ka thënë Zeka për 2LONLINE.
Sipas tij, në PDK në e Gjilanit po instalohet një vizion i ri i cili ka të bëjë me qytetin e Gjilanit, jo me individë të caktuar. Prandaj ky vizion që ka qëndrueshmëri politike, ekonomike dhe sociale po gjen mbështetje të fuqishme tek qytetarët e Gjilanit.
“Ne jemi duke e instalua frymën e përgjegjësisë morale në parti, e cila mundëson qeverisje efikase, të padjallëzuar dhe pa hendikepe nga e kaluara e njerëzve. Kandidaturat për kryetar të degës janë dy profile të cilat i njeh Gjilani dhe në fund është Kuvendi i Degës, ai i cili do të vendos se kush do t’i prijë PDK-së në Gjilan”, u shpreh Zeka.
Ai theksoi në fund se vitet kanë ikur dhe në këtë relacion PDK-ja po reflekton edhe kohezion, por edhe qasje të re me një fillim të ri.