Ndërkaq, prokurorja e rastit, ndaj të dyshuarit ka paraqitur sot kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, në Gjykatën kompetente në Gjilan.
Pronari i kamionit që shkaktoi aksidentin tragjik në Gjilan, i identifikuar me inicialet V.T., akuzohet për veprën “Mbikëqyrja e pandërgjegjshme e trafikut publik”.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë me dije se mbrëmë rreth orës 19:30 minuta, ka ndaluar të dyshuarin V.T., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale, “Mbikëqyrja e pandërgjegjshme e trafikut publik”.
Ndërkaq, prokurorja e rastit, ndaj të dyshuarit ka paraqitur sot kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, në Gjykatën kompetente në Gjilan.
Por, çfarë dënimesh parashihen në bazë të Kodit Penal të Kosovës për veprën “Mbikëqyrja e pandërgjegjshme e trafikut publik”.
Neni 381
Mbikëqyrja e pandërgjegjshme e trafikut publik
1. Personi përgjegjës, të cilit i është besuar mbikëqyrja e gjendjes dhe e mirëmbajtjes së rrugëve dhe e objekteve në to, e mjeteve të transportit, plotësimi i kushteve të përcaktuara të punës për ngasës, ose personi përgjegjës të cilit i është besuar menaxhimi i ngasjes, i cili me ushtrimin e pandërgjegjshëm të detyrës së vet rrezikon jetën e njeriut, sigurinë fizike ose shkakton dëm pasuror, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet.
2. Kushdo që është përgjegjës për dhënien e urdhrave për ngasje apo që lejon tjetrin të ngas edhe pse e di se ngasësi për shkak të lodhjes, sëmundjes, dehjes me alkool apo shkaqeve të tjera nuk është në gjendje që në mënyrë të sigurt të drejtojë automjetin, ose automjeti nuk është në gjendje të rregullt dhe me këtë rrezikon jetën e njeriut, sigurinë fizike ose shkakton dëm pasuror, dënohet me dënimin nga paragrafi 1. i këtij neni.
3. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni kryhet nga pakujdesia, kryesi dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.
4. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni rezulton me lëndim të rëndë trupor ose dëm substancial pasuror, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.
5. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.
6. Nëse vepra penale nga paragrafi 3. i këtij neni rezulton me lëndim të rëndë trupor ose dëm substancial pasuror, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
7. Nëse vepra penale nga paragrafi 3. i këtij neni rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.