Ajo që njihet si pjesa e epërme e qytetit, në Kalanë e Novobërdës është kthyer në zonë të rrezikshme për qytetarët. Kjo ndodh pa u bërë tre vjet prejse aty u investuan 1 milion e 100 mijë euro. Tabela që ndalon ngjitjen lart tek strukturat që janë restauruar e konservuar bën me dije se bëhet fjalë për zonë të rrezikshme.
Dëshmi për këtë është edhe rënia e një pjese të fasadës në anën lindore të strukturave të Kalasë, që mund të evidentohet edhe nga ata që nuk mund ta kalojnë shiritin e rrezikshmërisë. Fasada – në këtë rast me gurë – ka rënë në dy sipërfaqe muresh edhe në anën perëndimore të monumentit që daton nga shekulli XIII. Brenda strukturave, një dëmtim i ngjashëm është vetëm në murin afër portës kryesore. Kurse gurët që ndërtojnë harkun tek porta, janë plasaritur.
Shembjet që kanë nisur muajin e kaluar kanë arritur në pikë kritike, përderisa ka indikacione për të tjera. Hise në punën e bërë në këtë monument kanë UNESCO-ja, Bashkimi Evropian, një kompani kroate që ka hartuar projektin, një tjetër serbe që e ka implementuar atë e edhe institucionet vendore. Fiks 1.1 milionë euro është kostoja e projektit që ka nisur në fillim të vitit 2015 dhe është përmbyllur në fund të 2016-s. Financimi është bërë nga Komisioni Evropian, kurse palët punëkryerëse janë kontraktuar e mbikëqyrur nga UNESCO-ja. Hartimi i projektit konservues e restaurues ishte bërë nga kompania “Omega Engineering” me seli ne Dubrovnik e punët ishin kryer nga kompania “Koto” me seli në Beograd. Mbikëqyrja ishte bërë nga përfaqësues të këtyre dy kompanive e po ashtu edhe nga përfaqësues të UNESCO-s, Bashkimit Evropian e të institucioneve vendore. Të gjitha palët do t’i bëjnë një vizitë monumentit për të konstatuar gjendjen në mënyrë që të zhvillohen hapat e ardhshëm.
Në fund të viti 2018, Instituti Arkeologjik i Kosovës kishte vërejtur se ka indikacione që paralajmëronin probleme në muret e strukturave të Kalasë./koha/