Vonesa e presidentit Hashim Thaçi për të dekretuar anëtarët e propozuar për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka shtyrë opozitën të thërras një seancë të jashtëzakonshme.
Me këtë rast, ata kanë hedhur kritika në drejtim të presidentit, duke thënë se ai po mban të bllokuar KQZ-në për llogari të PDK-së.
Sipas Kurteshit, i cili kërkoi miratimin e një rezolute, dekretimi i anëtarëve duhet të bëhet pa asnjë vonesë.
“Rezoluta ka një pike të vetme; Kuvendi kërkon që dekretimi i anëtareve të KQZ-së të behet pa asnjë vonesë sipas Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Zgjedhje si dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 26 gusht 2014”, ka thënë Kurteshi.
Ndërkohë, më i ashpër është treguar Avdullah Hoti i LDK-së, i cili deklaroi se në rast se Thaçi nuk i dekreton kandidatët për KQZ, ata do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Ndryshe, KQZ-ja ka mbetur e pakonsoliduar që nga viti i kaluar për shkak të problemeve që sollën vonesat e presidentit Thaçi në dekretimin e kandidatëve. Problemi ka burim një mospajtim të koalicionit qeverisës për kandidatët që iu takojnë në KQZ.