Shkruan: Fitim Salihu
Dy ditë më parë, Albin Kurti kishte shkruar një status panegjirik në nderim të ish-kryeministrit serb, Zoran Gjingjiqit dhe ish-mbretit serb, Aleksandër Obrenoviqit. Esenca e panegjirikut të tij ishte kontradiktimi i këtyre dy figurave të rëndësishme të historisë moderne serbe me figurat gjoja të kundërta të tyre – Gavrilo Principin dhe Aleksandër Vuçiqin. Ideja gjenerale e tij ishte se sikur të mos ishin vrarë Obrenoviqi dhe Gjingjiqi (rrjedhimisht sikur të mos vinin në pushtet Karagjorgjeviqi dhe Vuçiqi) Serbia do të ishte më e mirë. Apologjia e Kurtit karakterizohet nga ajo që në historiografi quhet “over-simplification”. Shkurt e shqip – lexim bardhë e zi i historisë dhe dinamikave historike.
Së pari, këto dy figura ndoshta edhe mund të kenë qenë pakëz më liberale sesa kundërshtarët e tyre politikë, por liberalizmi i tyre ka qenë vetëm vis-à-vis politikës së brendshme serbe dhe trajtesave ideologjike për shtetndërtimin serb. Por, në raport me Kosovën, qëndrimi i tyre ka dalluar në nuanca të vockla, për të mos thënë që s’ka dalluar fare, me atë të Karagjorgjit ose Sllobës. Çdo orvatje për ta parë Obrenoviqin dhe Karagjorgjin ose Gjingjiqin dhe Milosheviqin sikur të ishin personazhe të një filmi “spaghetti-western” të Serxhio Leones – si “i miri dhe i keqi” – është, në rastin më të mirë, mosnjohje elementare e historisë serbe. Së paku asaj të dyqind viteve të fundit.
Kush ka qenë Aleksandër Obrenoviqi?
Aleksandër Obrenoviqi udhëhoqi me Serbinë nga viti 1889 gjer më 1903, kur u shfronëzua dhe u vra nga familja arkirivale dinastike e Karagjorgjeviqëve. Vetë paraardhësit e tij mbretërorë shquheshin për qëndrimet e tyre nacionaliste kundruall Kosovës dhe simbolika e mitit të “lavdisë së Kosovës” mund të haset që në stemën e tyre dinastike. Për më tepër, vetë mbreti i ri Aleksandër udhëhoqi manifestimet e 500-vjetorit të Betejës së Kosovës, të cilat për shumëçka nuk ngelin mbrapa festimeve që i udhëhoqi Milosheviqi 100 vite më pas.
Në fakt, ato ditë Obrenoviqi edhe u kurorëzua në frymën e festimeve për “lavdinë e Kosovës” në manastirin e Zhicës në Kralevë. Paraprakisht, mbreti i ri e kishte vizituar kishën e Lazaricës në Krushevc. Ngjarja nuk ishte e rastësishme. Kjo kishë ishte ngritur nga vetë knjaz Lazari, komandanti serb i Betejës së Kosovës. Aty, Obrenoviqi përuroi përmendoren “Косовским јунацима” (Heronjtë e Kosovës). Duke u kthyer në Zhicë, ai i bëri përnderimet e tij varrit të princeshës Milicë, bijës së Nemanjiqëve dhe gruas së knjaz Lazarit. Krejt këto procesione kuazi-okulte u shoqëruan nga një frenezi e pashoqe e publikut serb, e ushqyer nga qeveria e krajlit Obrenoviq.
Edhe më vonë, politika e Obrenoviqit ka qenë aktivisht ofensive kundrejt çështjes së Kosovës. Duke marrë shkas nga ai që politika serbe e quante “pogromi i Kolashinit të Ibrit”, politika e jashtme e Obrenoviqit u bë shumë agresive dhe bënte presione të vazhdueshme ndaj Portës së Lartë që të shtypte kryengritësit shqiptarë dhe të garantonte sa më shumë të drejta miletit serb në Vilajetin e Kosovës. Në gusht të vitit 1902, ambasadori serb në Stamboll parashtroi pesë kërkesa për Portën e Lartë në lidhje me çështjen e Kosovës ku, ndër të tjera, kërkohej që Sulltani ta shtynte përpara të drejtën e serbëve të Kosovës për t’u armatosur “në mbrojtje prej bandave shqiptare”. Në fakt, paraprakisht, në verën e vitit 1894, Obrenoviqi e kishte vizituar personalisht Stambollin për të avokuar për më shumë privilegje për serbët lokalë.
Pikërisht në kohën e krajlit Aleksandër ndodh edhe hapja e Konsullatës ruse në Mitrovicë, e cila shërbente si një strehë agjenturore e hafijeve të Obrenoviqit. Fundi i konsullit rus, Grigori Shçerbinës, dihet… Ai u vra nga kryengritësit shqiptarë në prill 1903 pikërisht sepse shihej si zgjatim i politikës nacionaliste të Obrenoviqit. Në fakt, ekziston një mendim i hapërdarë se si, tekqë Karagjorgjeviqët ndiqnin linjën rusofile, Obrenoviqët ndiqnin linjën proaustriake. Në fakt, sipas shumë dëshmive të kohës, ndonëse babai i Aleksandër Obrenoviqit, mbreti Milan, ishte aleati kryesor austriak në Ballkan, i biri i tij, Aleksandri, u kthye shpejt në një aleat të Carit dhe nuk mungoi koordinimi i tij me rusët, sidomos karshi çështjes së Kosovës dhe Maqedonisë.
Sidomos pas dasmës së tij zulmëmadhe të korrikut 1900, Aleksandër Obrenoviqi u kthye tërësisht nga Rusia. Madje, si një dhuratë për aleatët rusë, ai i liroi nga burgu konspiratorët radikalë të “atentatit të Ivan-danit”, të cilët në qershor 1899 kishin tentuar ta vrisnin babain e tij, ish-mbretin Milan Obrenoviq. Faktin që Obrenoviqi nuk ka qenë kundër Rusisë dhe Fuqive të Antantës, por, përkundrazi, ka qenë mik i tyre, e dëshmon edhe Ralf Paxhet, diplomat i njohur i “Foreign Office”-it, i cili në vitet 1910-1913 ka qenë ministër britanik në Beograd. Në memoaret e tij, “Një diplomat në Serbi”, Paxheti dëshmon se si Anglia nuk u pajtua kurrënjëherë me vrasjen e Obrenoviqit e me shfronëzimin e tij dhe se gjer më 1913 nuk i relaksoi marrëdhëniet me Karagjorgjeviqët. Sikur të kish qenë Obrenoviqi një aleat austriak e antirus, britanikët jo që nuk do ta kundërshtonin rrëzimin e tij, por do e inkurajonin atë, duke marrë parasysh rivalitetin në Ballkan mes Gjermanisë e Austrisë, në një anë dhe Anglisë e Rusisë, në anën tjetër.
Në fakt, qasja e tij liberale mund të vihet në pikëpyetje edhe sa i përket politikës së tij të brendshme. Në fakt, tekqë ai mbretëroi si një monark absolut, pasardhësi i tij, Petar Karagjorgjeviqi instaloi një monarki kushteuese dhe mblodhi parlamentin. Kështu që, konstatimi i Kurtit është i gabuar dhe ai, duke tentuar që ta thjeshtojë historinë, përfundon në një lexues diletant të saj.
Ish-profesori i Universitetit të Indianas në ShBA, Branimir Anzuloviqi, në librin e tij “Serbia hyjnore – nga miti në gjenocid” – të cilin kam pasur nderin që ta shqipëroja për shtëpinë botuese “Koha” – thoshte se “Pjetri I [Karagjorgjeviqi]…, i emëruar prej oficerëve ushtarakë që kishin komplotuar – me sa duket pa dijen e tij – në vrasjen e mbretit Aleksandër Obrenoviq, bëri një rropatje të çiltër për ta ndaluar rrethin vicioz të dhunës dhe për ta transformuar Serbinë në një vend të civilizuar, të bazuar në sundim të ligjit. Ai ndërmorri reforma për ta çliruar Serbinë nga trashëgimia e shtypjes dhe dhunës. Botimi i librit të Xhon Stjuart Millit, “Mbi lirinë”, të cilin e kish përkthyer mbreti vetë, ishte një manifestim i qëllimit të tij për ta çliruar Serbinë prej barrës së trashëgimisë së vet.”
Kurse, profesori i historisë në Universitetin e Dakotës Veriore në ShBA, Xhon Koks – një tjetër studiues i njohur i politikës serbe – në librin e tij, “Historia e Serbisë”, thoshte se Serbia gjatë mbretërimit të Aleksandër Obrenoviqit nuk pati zhvillim, përkundrazi, ai e quan principatën e tij një “pariah state” – një shtet i izoluar dhe jashtë trendeve globale të kohës – kurse vetë Aleksandrin e quante “cinik” dhe “të vrazhdë”.
Kaq për argumentin se vrasja e krajlit të Obrenoviqëve qe një fatkeqësi.
Po kush ishte Zoran Gjingjiqi?
Gjingjiqi është personazhi i dytë të cilit ia shkruan apologjinë Kurti dhe pretendon se sikur ai të ishte gjallë, do të dallonte nga Vuçiqi. Gjingjiqi ka qenë kryeministër i Serbisë në vitet 2001-2003 dhe paraprakisht kishte qenë lider opozitar në vitet ’90. Njëjtë, edhe Gjingjiqi mbase ishte më liberal sa i takon politikës së brendshme serbe, por në raport me Kosovën ai, ndonëse më realist se Milosheviqi, asnjëherë nuk e mohoi bazamentin dhe fundamentin nacionalist të mitit të Kosovës. Fakti që ishte më realist, s’e bën më të mirë. Edhe Vuçiqi është më realist sesa Milosheviqi në raport me Kosovën. Në fjalimin e tij në Gazivodë në vjeshtën që lamë pas, ai faktikisht pati thënë se Milosheviqi bëri gabime taktike por që lufta e tij për Kosovën ish e drejtë.
Për t’iu kthyer sërishmi librit që e kam shqipëruar vitin e kaluar, “Serbisë hyjnore”, Anzuloviqi, tekqë flet për protestat opozitare kundër Milosheviqit, në një pasazh thotë: “Disa protestues mbanin simbole – siç ishin portretet e Njegoshit – që dëftonin se ata i tumirnin masakrat në luftën për një komb homogjen dhe shpërfaqnin se ata ishin të zemëruar me Milosheviqin jo pse ai e nisi luftën, por pse ai nuk e fitoi atë. Dy politikanët kryesorë që u vunë në krye të valës së pakënaqësisë – Zoran Gjingjiqi dhe Vuk Drashkoviqi – nuk dhanë një alternativë të njëmendtë ndaj politikave të Milosheviqit. Ata nuk neveriteshin nga obsesioni nacionalist me Serbinë e Madhe (në të cilën vetë ata shtyheshin me Milosheviqin) e as nuk i denoncuan mitet që ia pamundësuan shumë serbëve të pajtoheshin me të kaluarën e tyre.”
Në fakt, edhe pas ardhjes së tij në pushtet pas revolucionit të tetorit 2000 që e largoi Milosheviqin nga pushteti, Zoran Gjingjiqi ishte vetëm në formë më ndryshe nga paraardhësi i tij. Në thelb, qëndrimet e tij në raport me shqiptarët dhe Kosovën ishin të njëjta. Në shkurt 2001, sapo ishte zgjedhur kryeministër, Gjingjiqi, pas një takimi me Kolin Pauelin, sekretarin amerikan të Shtetit, kërcënonte me luftë në rast se Kosova e shpallte pavarësinë.
Në një intervistë televizive, ai deklaroi se shqiptarët e Kosovës nuk kanë të drejtë për institucione qeverisëse të pavarura prej Serbisë dhe se në Kosovën e pasluftës nuk mund të flitet thjesht për të drejta minoritare për serbët, por për të drejta historike për shtetin serb. Për më tepër, gjatë kësaj interviste publike, ai shumëherë merr tipare prej fashisti kur flet se si nuk do ta lejojë asnjë shqiptar që të blejë prona në Terazije sepse paratë e tyre qenkan të pista dhe të fituara nga narkotrafiku, ndërkohë që e kërcënonte Evropën se do ta shpërbënte Bosnjën e Hercegovinën nëse pavarësohet Kosova. Ndër të tjera, mbahet mend fraza e tij “Ne damo Kosovo!” – “Nuk e japim Kosovën!”. Pra, në thelb ai asgjë s’dallonte nga Milosheviqi. Siç thotë edhe Anzuloviqi, ai thjesht po e vajtonte faktin që Milosheviqi e humbi Kosovën.
Në një ligjëratë që e mbajti para studentëve të Universitetit të Banja Lukës në Republika Sërpska një muaj para se të vritej, Gjingjiqi do të deklaronte se Milosheviqi e humbi Kosovën sepse nuk e kuptoi se në marrëdhënie ndërkombëtare ekziston një set rregullash të cilat duhet respektuar. “Ashtu që të bëhesh lojtar sipas rregullave të lojës globale, ti duhet t’i përmbushësh disa kritere minimale për t’u pranuar si lojtar. Nëse vazhdimisht i shkel rregullat, duke thënë: këtë s’e dua; dua vetëm atë që më konvenon, ata do të të nxjerrin prej loje dhe do të të thonë: ulu atje në pankinë dhe tash luaj sipas rregullave tua. Një balancë duhet gjetur mes të bindurit ndaj rregullave dhe, sigurisht, anashkalimit të atyre rregullave gjer në një farë mase, ashtu që as gjyqtari të mos e vërej atë…”
Pra, një lexues i vëmendshëm, jo vetëm i këtij pasazhi, por i tërë veprimtarisë së tij politike, e kupton që Gjingjiqin me Milosheviqin e dallonte vetëm taktika, jo strategjia. I pari mendonte që Kosova fitohet me mashtrime dhe dredhi, i dyti me forcë dhe dhunë. I pari mendonte se rregullat duhet thyer, por duhet vepruar pa të parë gjyqtari. Të dytit s’i bëhej vonë as për gjyqtarë. Por, në thelb, ishin të njëjtë, siç ish e njëjtë strategjia e tyre afatgjatë.
“Stratfor” është një platformë e famshme amerikane e studimeve gjeopolitike e cila në shkurt 2002 botoi një artikull me titull “Gjingjiqi po e vjedh bubullimën nacionaliste”. Artikulli analizon se si Gjingjiqi ishte duke ia vjedhur presidentit serb, Vojislav Koshtunica, bajrakun e nacionalizmit serbomadh dhe kishte filluar të ndryshonte anë – nga një politikan i perceptuar si properëndimor në një politikan antiperëndimor. Gjingjiqi në fillim të vitit 2002 kishte filluar të fliste kundër Tribunalit të Hagës dhe gjykimit të ish-presidentit jugosllav Milosheviq.
Në fakt, edhe ky artikull e nxjerr në pah dinakërinë dhe dyfytyrësinë e tij: “Gjingjiqi ka audienca të shumëfishta. Njëra syresh është popullsia/votuesit serbë, ku nacionalizmi i lulëzuar së fundmi i Gjingjiqit pritet të kryejë punë. Tjetra është Perëndimi, i cili po ofron një litar shpëtimi të ndihmave dhe investimeve në Jugosllavi.”
Njashtu, vlerësimi magnilokuent e epideiktik i Kurtit se “Lufta e Dytë ka mbaruar, por duket se ajo e para ende jo”, paçka që onomatopeik, është historiografikisht i pasaktë. Logjika e Kurtit thotë se Lufta e Parë nuk ka mbaruar sepse raporti i forcave dhe aleancave vazhdon të jetë i njëjtë (lidhja që ai bën mes Serbisë, Rusisë dhe Francës), kurse e Dyta ka mbaruar sepse kontestet janë zgjidhur e, rrjedhimisht, edhe aleancat e saj kanë rënë. Nëse nisemi nga ky argument logjik, në mënyrë induktive analizojmë se konstatimi i tij është i pasaktë. Nëse ai konstaton që Lufta e Parë s’ka mbaruar sepse Rusia e Serbia akoma janë aleatë, atëherë lehtësisht mund të rrëzohet poshtë kjo pandehmë duke konstatuar, me po të njëjtën logjikë, se ajo ka përfunduar sepse ShBA dhe Rusia më nuk janë aleatë sikurse gjatë Luftës së Parë (madje, pas ardhjes së Trampit në Shtëpi të Bardhë, mund të themi se ShBA-ja nuk është më aleate as e Britanisë së Madhe dhe Francës).
Edhe diçka krejt për fund: konstatimet e Kurtit të tipit “po të ishte X, s’do të ishte Y”, tingëllojnë naive dhe diletante. Historisë i prijnë individët, por atë e bëjnë rrethanat. Më saktë, historia zhillohet nga përplasja e një sërë faktorësh që në mënyrë dialektike zhvillojnë veten. Të thuash që “po të ishte Gjingjiqi, nuk do të ishte Vuçiqi” ose “po të ishte Obrenoviqi, nuk do të ishte Karagjorgjeviqi apo Principi” do të thotë t’i shfajësosh dhe kësodore t’ua bësh një shërbim edhe Vuçiqit edhe Karagjorgjeviqit. Zhvillimi i dinamikave të brendshme, kombinuar me zhvillimet ndërkombëtarë kanë prodhuar Milosheviqë e Vuçiqë, Karagjorgjeviqë e Gavrilo Principë. E, kjo s’ndodhë vetëm në Serbi, por edhe gjetiu. Ligjet e zhvillimit historik nuk shpjegohen dot në terma individësh.
E kuptoj, ndonëse nuk e arsyetoj, nevojën e politikanëve kosovarë që historinë ta lexojnë konform politikës ditore. Por, të flasësh për Gjingjiqin dhe Karagjorgjeviqin sikur për Kryeengjëllin Mikael dhe Kryeengjëllin Gabriel, në rastin më të mirë, është mosnjohje elementare dhe keqlexim amatoresk i historisë së popullit e politikës serbe.
E kuptoj edhe dëshirën e afshtë të Kurtit që në historinë serbe t’i gjejë së paku dy figura pozitive. Por, definitivisht ata nuk janë Gjingjiqi dhe Obrenoviqi. Ndoshta Dimitrije Tucoviqi dhe Kosta Novakiqi janë. Por, ata dy jo.