Sulmi terrorist në Zelandë të Re ka alarmuar edhe autoritet e sigurisë në Kosovë, të cilat kanë rekomanduar pjesëtarët e saj që të rrisin nivelin e sigurisë në vendbanimet me shumicë minoritare dhe përreth objekteve fetare.
Një gjë të tillë janë duke e bërë edhe Policia e Kosovës. Por, sipas zëdhënësit të saj Baki Kelani, masa të tilla, tash për tash nuk janë për tu shqetësuar, por merren me qëllimin e ruajtjes së rendit dhe sigurisë në vend.
“Policia e Kosovës, bazuar në vlerësimet e përgjithshme, sa herë të shtohet nevoja për rritje të vigjilencës ndërmerr masa me qellim të ruajtës së rëndit dhe sigurisë”, tha ai për Reporteri.net, përmes telefonit.
Disa media kanë raportuar se drejtorët e departamenteve të Policisë së Kosovës kanë pranuar një e-mail nga Drejtoria për Terrorizëm e Policisë së Kosovës, në të cilën rekomandohet që të rritet vigjilenca.
Ky email, sipas raportimeve, erdhi pas vrasjes së 49 personave në Zelandës e Re, vrasje kjo e kryer në dy objekte fetare (xhami).