Shkaktar i aksidentit ku vdiqën tre të rinj, dyshohet të ketë qenë drejtuesi i veturës, i cili hyri në tejkalim në vendin e ndaluar.
Tre të rinj vdiqën dhe një u lëndua sot rreth orës 12:30 në rrugën magjistrale Suharekë – Shtimje, në vendin e quajtur te Giri, komuna e Suharekës.
Policia e rajonit të Suharekës ka dhënë detaje rreth këtij aksidenti, në të cilin ishin përfshirë një veturë dhe një kamion.
“Si pasojë e lëndimeve të pësuara në aksident në vendin e ngjarës kanë ndërruar jetë shoferi i veturës Q. H. 1996 dhe dy pasagjeri e automjetit L.R., 1998 dhe J. T. 1999, ndërsa lëndime trupore ka pësuar edhe (një) pasagjere që ka qenë në kamion”, ka njoftuar policia.
Nga hetimet e para të bëra në vendngjarje nga hetuesit e njësisë së trafikut rajonal dhe Prokurorit të Shtetit bëhet e ditur se shkaktar i aksidentit dyshohet të ketë qenë drejtuesi i veturës, i cili dyshohet se ka hyrë në tejkalim në vendin e ndaluar (vijë e plot dhe kthesë) dhe në mënyrë frontale ka goditur kamionin, i cili ishte në drejtimin e kundërt, dhe për pasojë shkaktoi aksident trafiku me fatalitet.
“Trupat e pajetë të viktimave me urdhër të prokurorit të rastit janë dërguar në mjekësinë ligjore për obduksion. Me urdhër të prokurorit të shteti vozitësi i kamionit ndalohet për 48 orë”, njofton më tutje policia.
Gjatë ditës së sotme në një aksident tjetër me fatalitet ndodhi në rrugën Pejë-Istog, në dalje të fshatit Vitomiricë, ku mbeti i vdekur një person, ndërsa u lënduan dy të tjerë.