Nisma Socialdemokrate ka mbajtur Kuvendin e dytë Zgjedhor të Rinisë. I pari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se partia është forcuar e konsoliduar dhe si e tillë do të qeverisë vendin.
“Jemi ardhur në këtë Kuvend shumë më të organizuar e më të fuqishëm se kuvendin e kaluar. Sot jemi edhe si parti edhe si rini të konsoliduar dhe të fuqishëm dhe më shumë përvojë politike. Ishin të rinjtë e Nismës së bashku me të rinjtë tjerë që u aktivizuan në protesta për të ndalur të këqijat qe po i vinin Kosovës”.
“Duke ju falënderuar angazhimit të përbashkët ne arritëm me i ndal marrëveshjet e këqija të Kosovës. Jam i bindur që këtu ka djem e vajza që nesër do të jenë drejtues të shtetit.
Ai ka porositur të rinjtë që të angazhohen për të ardhmen e vendit dhe të mos e braktisin atë.
“Ne jemi në një vend të pavarur dhe të konsoliduar dhe po presim që ju t’i merrni përgjegjësit e juaja. Ju sot nuk duhet të jeni të kënaqur me nivelin e shtetit tuaj. Ju nuk duhet të ja ktheni shpinën vendit sepse ju e tradhtoni idealin e shtetit nëse e bëni këtë gjë. Mos ja ktheni shpinën Kosovës”, ka qenë porosia e tij.
Kryetari i Këshillit Kombëtarë të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, tha se ndihet i lumtur që sot sallat janë të mbushur nga të rinjtë të cilët janë të gatshëm për t’i shërbyer vendit.
“Më vjen mirë që në këtë sallë në 5-vjetorin e Nismës Socialdemokrate shoh shumë të rinj e të reja që do të angazhohen në të ardhmen e vendit tonë. Mua më vjen mirë sot qe të rinjtë dhe të rejat mbushin sallat për të dhënë kontributin e vet për shtetin”.
“Kërkoj nga ju që me të gjitha energjitë tuaja intelektuale dhe fizike të përqendroheni për të ngrit angazhimin tuaj për të qenë në shërbim të popullit. Unë nuk jam angazhuar në politikë jo për të fituar një punë, mirëpo për të qenë në shërbim të qytetarëve të Kosovës”, tha ai.
Kryetari i Rinisë së Nismës, Albert Maxhuni, ka thënë se Nisma Socialdemokrate është subjekt i cili ka determinuar çdo proces të rëndësishëm politik.
“Rruga jon ishte me sfida mirëpo ato asnjëherë nuk na zbrazën, na benë me të forte. Rreshtimi jonë i përbashkët asnjëherë nuk na zhgënjyer. Sot jemi subjekti politik që ka determinuar çdo proces të rëndësishëm të vendit. Angazhimi i rinisë është arsyeja e suksesit politik të partisë”, tha ai.