Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova nuk ka tokë për të falur dhe se për këta kufij është bërë luftë.
“Ne në Kosovë jemi në të drejtën tonë, por jemi në kohën kur duhet të kujdesemi për tokën tonë, për vendin tonë. Dihet ndër shekuj se shqiptarët kanë dhënë nga toka që ua ka lënë Zoti. Kur e them atë që është e shqiptarëve, kurrë nuk harroj të them se kushdo që jeton me ne, komunitetet etnike, janë në shtëpinë e vet dhe ne dimë t’i nderojmë, por nuk ka më kthim prapa dhe nuk ka më vazhdim të praktikave të marret prej shqiptarëve. Brezi i UÇK-së e ka ndryshuar këtë, rrjedhat e historisë kanë ndryshuar dhe prej shqiptarëve më askush nuk mund të marrë”, ka thënë Haradinaj./koha/
Po ashtu, në lidhje me deklaratat e kryeparlamentarit Kadri Veseli, se nuk do të qëndrojë në koalicion me asnjë parti që rrezikon marrëdhëniet me SHBA-në, Haradinaj tha se koalicionit do t’i vijë fundi një ditë dhe kjo do të ndodhë pas dy vjetësh kur edhe përfundon mandati i Qeverisë së tij. Këto deklarata kryeministri Haradinaj i bëri në 20-vjetorin e rënies së dëshmorëve në fshatin Korishë të Prizrenit.