Qershori i këtij viti është përmendur nga Qeveria e Kosovës si një mundësi reale për liberalizimin e vizave, por analistë të çështjeve të integrimeve evropiane këtë e shohin si diçka e pamundur të realizohet.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pati thënë se ekziston mundësia reale që liberalizmi të ndodhë qysh gjatë qershorit, megjithatë, ai kishte deklaruar se ka një lloj dakordimi me Bashkimin Evropian dhe institucionet e Kosovës që të mos flitet shumë në këtë temë.
Në të njëjtën temë, edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha kishte deklaruar se Kosova po pret që në Parlamentin Evropian (PE) të përfundojnë zgjedhjet, në mënyrë që të mund të lëvizet përpara me një vendimmarrje, sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës në zonën Schengen.
Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se qershori nuk është muaji që Kosova mund të pret lëvizje të lirë në zonën Schengen.
“Nuk është e pritshme të ndodhë diçka në qershor, pasi që muaji qershor është muaji kur do të kemi zgjedhjet në Parlamentin Evropian dhe situata jo që del jashtë logjikës së vendimmarrjes në BE, por BE-ja do të ketë çështje dhe preokupime të tjera, sepse mbi bazën e atyre rezultateve do të fillojnë negociatat për konstituimin e Komisionit të ri Evropian dhe realisht e shoh shumë të vështirë një vendimmarrje në muajin qershor, vetëm nëse ka ndonjë mrekulli dhe ndonjë vendim politik i cili mund të ndodhë edhe në këtë moment”, thekson Ujkani.
Ujkani shton se institucionet e Kosovës duhet të punojnë në mënyrë vazhdueshme dhe të kërkojnë nga Bashkimi Evropian që të shtrohet çështja, apo agjenda e procesit të liberalizimit të vizave.
Kosova është vendi i vetëm në rajon, qytetarët e së cilës i nënshtrohen regjimit të vizave në zonën Shengen.
Taulant Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e vendit nuk duhet të japin data se kur mund të ndodhë liberalizmi i vizave, pasi që i gjithë procesi është në duart e vendeve anëtare të BE-së.
Sa i përket muajit qershor, i cili është përmendur nga autoritetet e Kosovës si koha kur mund të ndodhë liberalizimi i vizave, Kryeziu thotë se kjo është diçka e pamundur, pasi që ka ende procese deri në hapin final.
Sipas Kryeziut, institucionet e vendit nuk do të duhet të flasin në emër të vendeve anëtare të BE-së.
“I ftoj udhëheqësit e Kosovës që të mos rrisin pritshmërinë e qytetarëve për një të drejtë fundamentale që po i mohet një kohë kaq të gjatë siç është liberalizimi i vizave. Kjo është një vendimmarrje që i takon vendeve anëtare të BE-së dhe ne e kemi parë që shqetësim i tyre i cili vazhdon të jetë është sistemi i drejtësisë, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këtu duhet të jetë fokusi i institucioneve të Kosovës dhe mendoj që nuk kanë më kredibilitet që të përdorin data, pasi që nuk janë më të besueshëm në sytë e qytetarëve”.
“Aq shumë është politizuar dhe është tentuar të shfrytëzohet ky proces për poena politik dhe të thuhet prapë një afat tjetër është qesharake dhe mos njohje e procesit të liberalizimit të vizave në aspektin procedural”, thotë Kryeziu.
Procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka filluar në vitin 2012. Bashkimi Evropian i kishte vënë Kosovës si detyrë të plotësojë 95 kritere për të marrë rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian.
Një rekomandim të tillë, Komisioni Evropian e ka bërë në korrik të vitit 2018, ndërkaq në shtator të po atij viti, Parlamenti Evropian kishte votuar në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave nuk e vendosi fare në agjendën e takimit të tyre çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Ndryshe, komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, pati përmendur vitin 2020, si kohën më optimale kur Kosova do të mund sërish të presë një vendim eventual pozitiv për liberalizimin e vizave. /rel/