Vendimi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për zëvendësimin e orëve të humbura të nxënësve, ka bërë që ende të ketë paqartësi lidhur me mbajtjen e orëve të humbura gjatë grevës së mësimdhënësve.
Në shkollën “Xhemail Mustafa”, në Prishtinë, Këshilli i Prindërve të nxënësve të kësaj shkolle ka kërkuar nga Drejtoria e saj që nuk do të pranojnë asnjë mësim shtesë gjatë fundjavave apo pushimit pranveror të nxënësve.
“Siç edhe kemi paralajmëruar gjatë takimeve tona në kohën e grevës së mësimdhënësve, ju bëjmë të ditur edhe tani se Këshilli i prindërve i SHFMU “Xhemail Mustafa” vazhdon të jetë pranë qëndrimit të vet se nuk do të pranojmë asnjë mësim shtesë gjatë fundjavave apo pushimit pranveror të fëmijëve tanë! Mësimet shtesë eventuale mund t’i pranojmë vetëm në ditët e rregullta mësimore! Andaj kërkojmë nga ju mirëkuptim dhe respektim të këtij qëndrimi të pandryshueshëm”, shkruan në njoftimin dërguar Drejtorisë së shkollës Xhemail Mustafa.
Ndërsa shkolla model “Qamil Batalli” në Prishtinë, përmes një njoftimi në faqen e saj zyrtare në Facebook ka njoftuar nxënësit që vijojnë mësimet në këtë shkollë se nga nesër do të punohet përgjatë 5 të shtunave radhazi.
“Duke u bazuar në vendimin e Ministrisë së Arsimit, për zëvendësim të orëve të humbura përgjatë grevës, nga nesër do të punohet përgjatë 5 (ditë) të shtunave radhazi nga dita e nesërme. Ju faleminderit për mirëkuptimin tuaj!
“Për ata që dëshirojnë të japin vërejtje për këtë vendim, ju lus të mos shkruani në këtë faqe por ne institucione tjera sepse ne nuk kemi marrë vendim përmes kësaj faqeje, as të organizohet greva e as te zëvendësohen orët. Andaj ju lus qe ankesat tuaja t\i dërgoni tek institucionet vendimmarrëse dhe jo tek ne. Si dhe, ne vetëm ju njoftojmë qe shkolla do jetë e hapur dhe asesi të ndërhyjmë në planifikimet familjare dhe rrjedhimisht është e drejtë e prindërve të vendosin nëse i sjellin apo jo fëmijët në shkollë.
Ne kemi marrë pëlqimin edhe te Këshillit Drejtues të Shkollës apo Bordit të Shkollës, për të plasuar si informim tutje për prindërit rreth këtij vendimi. Shëndet dhe mbarësi për të gjithë”, shkruan në Facebook kjo shkollë.
Ndërsa më 26 shkurt MASHT-i mori vendim për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës.
Në vendimin e MASHT-it thuhet se mësimi i humbur për shkak të ndërprerjes së përkohshme të mësimit në institucionet e arsimit parauniversitar publik, me rastin e grevës së mësimdhënësve, do të zëvendësohet si ën vijim: 5 ditë zëvendësohen nga pushimi pranveror, prill 2019; pesë ditë të shtunë të zëvendësohen gjatë vitit shkollor mësimor 2018/2019, dhe pesë ditë të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019.