Gjatë ditës së djeshme në rajonet e ndryshme të Kosovës ka pasur një numër të madh të zjarreve.
Policia njofton se në këto raste, zjarri është shkaktuar nga pakujdesia, njofton Klan Kosova.
Zjarre ka pasur në Zveçan, Rahovec, Gjilan, Kamenicë, Prishtinë dhe Lipjan duke shkaktuar dëme të konsiderueshme si djegia e mbi 2 hektarëve të mbjella me mjedra, tri vetura dhe të tjera.
Në këto raste nuk është raportuar për të lënduar.
Zveçan 24.03.2019-14:10. Raportohet se si pasojë e një zjarri fushor janë djegur disa gypa plastikë të ujësjellësit. Njësitë përkatëse policore kanë dalë në vendngjarje ndërsa njësitë e zjarrfikësve kanë lokalizuar dhe kanë shuar zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar.
Rahovec 24.03.2019-15:45. Ankuesi mashkull K/Shqiptar ka njoftuar se në afërsinë e lokalit të tij persona të panjohur e të dyshuar kanë djegur disa mbeturina. Zjarri ka përfshirë lokalin e tij të pamobiluar e si pasojë nga zjarri është djegur pjesërisht pullazi. Rastit i janë përgjigjur njësitë relevante policore si dhe njësiti i zjarrfikëseve të cilët kanë lokalizuar dhe shuar zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar.
Kamenicë 24.03.2019 – 12:00. Ankuesi mashkull K/Shqiptar ka njoftuar se i dyshuari mashkull K/Shqiptar ia ka vënë zjarrin arës së tij, me qëllim të pastrimit, ndërkohë zjarri është përhapur edhe në prona tjera. Familjarët kanë arritur që ta lokalizojnë dhe ta shuajnë zjarrin, nuk raportohet për të lënduar. Me vendim të prokurorit, iniciohet rasti dhe mbetet në procedurë të rregullt.
Gjilan 24.03.2019 – 15:00. Raportohet për një zjarr i cili fillimisht ka shpërthyer jashtë objektit të një kompanie për tërheqjen e automjeteve, e më pas është përhapur brenda oborrit të kompanisë, me ç’rast ka përfshirë mbeturinat si dhe tri vetura të konfiskuara. Njësiti i zjarrfikësve ka lokalizuar dhe ka shuar zjarrin. Rastit i janë përgjigjur njësitet relevante policore. Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar.
Prishtinë 24.03.2019-15:00. Ankuesi mashkull K/Shqiptar ka njoftuar se nga zjarri i shkaktuar dyshohet nga pakujdesia nga i dyshuari mashkull K/Shqiptar, i janë djegur dy (2) hektarë e 16 (gjashtëmbëdhjetë) ari të mbjella me mjedra me sistem të ujitjes dhe disa pemë. I dyshuari pas intervistimit me vendimin e prokurorit, lirohet në procedurë të rregullt.
Lipjan 24.03.2019-13:40. Ankuesi mashkull K/Shqiptar ka njoftuar se të dyshuar të panjohur ia kanë vënë zjarrin fillimisht mbeturinave e më pas është përfshirë nga zjarri edhe pylli. Njësitë përkatëse policore si dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendngjarje, me ç’rast kanë lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar