Grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës kanë mbështetur në parim Projektligjin për mbylljen e lojërave të fatit, mirëpo u theksua se duhet pasur kujdes te mënyra se si do të funksionojë Lotaria e Kosovës, për të cilën më herët është thënë se nuk duhet të mbyllet.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se ky projektligj nuk është në përputhje me rezolutën e votuar në Kuvend, derisa rreth paqartësisë për vazhdimin ose jo të punës së Lotarisë së Kosovës, ai kërkoi nga qeveria të sjellë projektligjin e ri për lotarinë.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, mbështeti projektligjin për mbylljen e lojërave të fatit, por kërkoi të sqarohet roli i Lotarisë së Kosovës në të ardhmen.
Ajo propozoi një amendament për një nen të veçantë me të cilin i ndalohet Lotarisë së Kosovës të ketë marrëdhënie kontraktuale me subjektet juridiko-private.