Pikërisht të premten, më 29 mars, pas një punë rreth 40 vjeçare në procesin edukativo-arsimore është pensionuar mësimdhënësi i Historisë, Emin Selimi, duke lënë pas vetes një punë të palodhshme, profesionale dhe mjaftë të respektuar jo vetëm te nxënësit, por edhe te kolegët, prindërit dhe në përgjithësi te komuniteti gjilanas.
Historiani Selimi, karrierën e tij prej mësimdhënësi e kishte filluar që në moshën e re, ende pa i mbushur 19 vjeç, edhe atë në fshatin Llabjan, për të kontribuar për disa vite në këtë trevë malore, e cila asokohe përballej me mungesë kuadri. Pas Llabjanit, meqë në Gjilan pothuajse ishte e mbuluar mirë fusha e historisë nëpër shkolla, arsimtari Emin, sprovon veten në gjimnazin “Sezai Surroi” në Bujanovc dhe për disa vite rresht, aty lë gjurmë të pashlyer me punën dhe qëndrimin e tij të një mësimdhënësi, me një karakter të fortë e të paluhatshëm dhe të pa panënshtruar.
Duke e parë organet e sigurimit të UDB-ës në Bujanovc, se profesori i Historisë nga Gjilani Emin Selimi po shpjegon lëndën në mënyrë madhështore dhe qasja frymëzuesi e tij po ndikon në anën patriotike dhe kombëtare te nxënësit, fillojnë ta shikojnë me sy tjetër dhe ta thërrasin në biseda të shpeshta informative. Mirëpo falë zgjuarsisë që kishte prof Emin, e lexon fort bukur këtë situatë dhe largohet nga Bujanovci, edhe përkundër që tashmë kishte krijuar një respekt të paparë në kolektivin e kësaj shkolle si dhe të vetë nxënësit dhe prindërit, ai kthehet në Gjilan dhe për disa vite punon në shkollën fillore “Liria” në Pogragjë, për të kaluar më pas më 1997 në shkollën fillore “Selami Hallaci”, për tri vite me radhë, teksa që nga viti shkollor 1999/2000, Emini është pjesë e shkollës “Rexhep Elmazi”, madje për një mandate të plotë ka kryer edhe funksionin e zëvendësdrejtorit të kësaj shkolle, si kundër që është bashkëhartues i Monografisë së komunës së Gjilanit për fushën e Historisë. Po ashtu gjatë një periudhe relativisht të gjatë ka punuar edhe në sketorin privat.
Arsimtari Emin, përveç që karakterizohet si një edukues dhe profesionist jashtëzakonisht i mirë, ai njihet edhe si një nga lexuesit e mirë veçmas të filozofisë, letërsisë e historisë, si kundër që gjithnjë ka qenë kreativ dhe me plot ide, i hareshëm, i afërt, komunikues, angazhues, konstruktiv, objektiv, njohës i rrethanave socio-politike dhe mbi të gjitha i dashur për secilin.
Pavarësisht tashmë moshës për të plotësuar të drejtën e pensionimit të plotë, arsimtari Emin ndihet tepër vital, anadaj urojmë që vitet në vijim të jenë plotësuese në gjirin familjar, ashtu, siç qe i plotë dhe i suksesshëm në arsim.
Fehmi SYLEJMANI