SA SHUMË JETË KISHTE QYTETI IM – ME PARKUN, AROMËN E LULEVE, BALLKONËT…
—————————————————————————————————-
KTHIMI NË KOHË – ECJE NËPËR GJURMË!
Kujtime nga rruga kryesore e qytetit
E njoh çdo lak, çdo tatëpjetëze, çdo teposhtëze që është në horizontin tim; e njoh çdo aromë të pranverës, sikur ato që po çelin tani…
13.
Me kujtohet parku në qendër që nga fillimi i fëmijërisë, aty në çdo ditë luanim. Në ditët e Ramazanit ishte një prej poligoneve të lojërave tona deri në syfir. Në anën e djathtë të parkut qëndronte rruga me kalldërme që ishte plot pluhur. Kjo rrugë ishte rrugë e dorës së dytë, të cilën e shfrytëzonin banorët e shtëpive përskaj dhe ndonjë kalimtar i rastit. Në fillim ishte ndërtesa e Kryqit të Kuq, godinë dy katëshe e ndërtuar me 1923, në stilin gotik, që kishte dy balkona të vegjël. Nga balkoni i dytë zgjatej flamuri i bardhë me shenjën e Kryqit të Kuq.
Jelica dhe Slavica udhëheqnin këtë shoqatë dhe ishin shumë aktive – organizonin edukimin shendëtsesor, që ishin të koordinuara nga dr. Remzi Ali dhe dr. Trajko Atanasov. Ushtrimet mbaheshin para përmendores partizane, para kinemasë dhe në platonë e hotelit. Të rinjtë, qytetarët, punëtorët shëndetësor, zjarrëfikësat ishin shumë aktiv. Ishte festë e madhe atë ditë.
Deri me 1963 në afërsi të Kryqit të Kuq ishin dy nallbanhane njëkatëshe me kulme të mbuluara me qeramidhe ‘maxhupi’ – ajo e Agush Zejnullahut nga Dobërçani, qe ishte dhëndër i familjes sonë, dhe ajo e Tahir Kërçes. Tahir Kërça ishte nga Balec mëhalla, kishte zë karekteristik, fliste për mrekulli gjuhët gilanase dhe frengjshten. Kishte fëmijë: Rexhepin dhe Muhamedin që ishin edhe ata nallbanë. Ne, fëmijët, me orë shikonim si mbathnin nallbanët kuajt, buajt dhe kiet; si i rrëzonin, si i mbanin këmbët, si përgatisnin terrenin për vuarjen e patkojve dhe si goditnin me gozhda në thundra të këmbëve të kafshëve. Ne u rrënqethnim duke menduar se ato kanë dhembje të madhe. Këto objekte i shkatërruan me 1963, kur filluan objektin e sotëm me dy hyrje dhe 16 banesa për punëtorët e policisë dhe sigurimit shtetëror. Aty punët i kryenin të burgosurit. Pastaj, ishte një sokak i verbër, i banuar kryesisht me serbë. Mbi këtë sokak u ndërtua ndërtesa e Elektrokosovës, ndërsa në banesa banonin kryesisht punëtorët e Kombinatit të Duhanit “Boris Kidriç” – Neqki e Izeti. Pasi tërhiqet Elektrkosova nga ky objekt, me 1978, dyqanin e hapi Namon Hajkobilla, qe ishte xhamprerës, ishte merakli i kafës dhe çajit, shokun e ngushtë e kishte dr. Eshref Biçakun.
AH GILAN, AH ZAMAN…! AH GJILAN, AH KOHË TË ARTA!
Të njoh edhe me thyerjen e dritës që nga mëngjesi deri në mbrëmje kur qielli skuqej, të njoh nga retë në pamje pambuku deri te retë e mërrolura që tregonin se koha është duke ndryshuar.Të dua o Gilan, si e dua trupin tim! Kujtime me plotë gëzime, lëvizje emocionesh si turbulencë, por emocione edhe si melodi.
Para se të fillonte sokaku i dytë i banuar, kryesisht, me romë muslimanë, ishte objekti i Trajkoviqëve që kishte qenë bibliotekë nga viti i formimit, me 1938 deri me 1954. Bibliotekën e kishin formuar studentët gilanas që kanë jetuar në Beograd, në mesin e tyre, Kurtesh Agushi, Alija Alijeviq dhe shume studentë serbë.
Pas vitit 1948 u ndërtuan dy ndërtesa dykatëshe për oficerë ushtarak. Pastaj, sokaku i banuar, kryesisht, me serbë. Këtu, në banesën dykatëshe banonte Rexhep Hamiti, që ishte sekretar komiteti, një kohë kishte punuar në Industrin e Tekstilit “INTEGJ” në Gjilan. Prindi i tij, nga Zhegovci, ishte trupshkurtër, ishte i veshur gjithnjë me tirqi të zi, me plis dhe me shokë rreth belit. Pastaj, ishte shtëpia e Bobit, profesorit dhe Rodit që ishte refer i futbollit. Në vitet e 90-a në shtëpinë ku shkruante viti 1922 vendoset “franqesi” një rrobaqepës i njohur që kishte ardhur nga Parizi. Të gjithë vraponin të bëjnë qepjen e fustaneve dhe rrobeve. Ndërsa, në fund rrugës, aty ku fillon rruga e Poneshit, ku sot është çebaptorja “LEZET”, gjendej nallbanhanja e Cane Pallamarit, i cili kishte qenë pjestar i Frontit të Selanikut.
Ne, fëmijët, shkonim me vjedh pemë në Popovicë, e Cana kujdesej dhe na ndiqte neve, duke na gjujatur nga revolja me kripë. Shpesh defilonte nëpër qytet me armë që ishin nga Lufta e Parë Botërore, e deri te Stacioni i Policisë, që gjendej pas Xhamisë Shehzade, ndërsa ne fëmijët si turmë e përcillnim. Banorët e kësaj lagjeje jetën ditore e kalonin në park, aty sjellnin fëmijët. Me se shumti aktiv ishin fëmijet romë të sokakut të dytë dhe rrugës së Poneshit, që lidhte qytetin përmes Baqevinës me Varoshin.
AH GILAN, AH KUJTIME NGA RRUGA KRYESORE…!
Ndonjëherë po më kujtohet kënga ”KOHËRAT E VJETRA DHE TË BUKUARA” të grupit “Fosili”. Ndonjëherë po mendoj se jam duke jetuar në kohën pa kufij, pa avantura, që fati im është diku larg, andej horizontit, në pafundësi!
Më duket se gjërat e mira moti kanë fluturuar, që nuk do të kthehen më! Më vjen mirë që nuk është kështu! Sot, dikush ta përcakton rrugëtimin vetëm djathtas, ndërsa dikush ka dëshirë të shkojë edhe majtas…!
Ah Gilan, sa shumë gjurmë e kujtime jetojnë në ty… Së shpejti të gjitha gjurmët dhe kujtimet tua në një libër, që edhe aty të banojnë e të mos shuhen kurrë! Gilan, kujtesa jonë rronë sa të rrojë emri yt! Nën asfalt fshehet kalldërmi, aty në heshtje është historia yte, Gilan, Gjilan, siç është e banon përgjithmonë në kujtesë…!
/Autor i shkrimit: Dr. Shevqet Mehmeti/
/redaktoi për shtyp, editori i faqes: Nexhat Buzuku/