Çështja e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës është në dorën e Këshillit Evropian.
Kështu ka thënë të martën për Gazetën Express, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes.
Megjithatë një zyrtare e lartë e Bashkimit Evropian ka thënë se çështja është ende në nivel teknik, dhe se nuk mund të japin një datë se kur kjo çështje do të ngritët në nivel të ministrave dhe se kur do të mund të merret vendimi për liberalizim të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Diskutimet rreth liberalizimit të vizave për Kosovën kanë mbetur në nivelin teknik brenda Këshillit. Unë nuk mund të spekuloj për atë se kur do të dërgohet kjo çështje në nivelin e ministrave, apo se edhe kur do të mund të merret vendimi”, ka thënë për Gazetën Express një burim brenda Bashkimit Evropian.
“Propozimi për t’ia dhënë Kosovës liberalizimin e vizave është paraqitur nga Komisioni Evropian në Këshillin dhe Parlamentin Evropian në vitin 2016, dhe më pas ka dalë një raport në vitin 2018 në të cilin thuhet se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara. Këshilli ka diskutuar për këtë çështje duke u mbështetur në këtë propozim”, thuhet në përgjigjen e zyrtarit të BE-së