Në muajin maj, pritet që Lidhja Demokratike t’i shpallë zyrtarisht kandidaturat për kryetar të kësaj partie. Deri tani, Vjosa Osmani, Fatmir Sejdiu, Agim Veliu, Lutfi Haziri janë përmendur si pretendentët kryesorë për postin e kryetarit të LDK-së.
Por, përveç Lutfi Hazirit i cili ka konfirmuar për Telegrafin kandidimin e tij për të parin e partisë, të tjerët kanë qenë me të rezervuar sa i përket kësaj.
Ndërkaq, zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa ka folur për Telegrafin rreth procesit të zgjedhjeve të brendshme brenda partisë.
Ai tha, që është ende herët të flitet për kandidaturat, teksa shtoi se do të zhvillojnë procedura zgjedhore demokratike.
“Kandidaturat për kryetar të partisë shpallen në Kuvendin e LDK-së, që mbahet pas përfundimit të zgjedhjeve në nëndegët dhe degët e LDK-së. Pra, është shumë herët të flitet për kandidatura për kryetar të partisë. LDK është e konfirmuar se është parti e hapur, ka potencial të kuadrave dhe do të zhvillojë procedura zgjedhore plotësisht demokratike”, ka thënë Mustafa
Kurse, analisti politik Ramush Tahiri tha që kryetari aktual i LDK-së, Isa Mustafa nuk duhet të kandidojë sërish edhe për një mandat, sipas tij, Mustafa e ka përfunduar misionin e tij.
“Nuk mendoj që Isa Mustafa duhet të kandidojë edhe një herë, mendoj që e ka përfunduar misionin e tij, mirëpo ai vendos përsëri vetë. Në LDK është më rëndësi që kandidimi të mos i mohohet askujt sikur ka ndodhur në të kaluarën që është dashtë të nxjerrin procedura për të mbledhur nënshkrime, sepse fakti që dikush po mbledh nënshkrimet tregon se ekziston një plan brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës”, potencon Tahiri.
Tutje analisti, thotë që është mirë që degët e LDK-së, të i propozojnë kandidatët dhe në Këshillin e Përgjithshëm të votohet me disa raunde.
“Unë mendoj që degët duhet të i propozojnë kandidatët dhe në Këshillin e Përgjithshëm duhet me votu në disa raunde, një herë në rrethin e gjerë e pastaj me dy ose tre kandidatë dhe në fund t’ia shtrijnë dorën njëri-tjetrit, mirëpo LDK prapë së prapë do të vendos se çfarë do të bëjnë. Në fund, Këshilli do të votojë më vota, me rëndësi është që të jen tre kandidate dhe që edhe degët të kenë mundësi t’i propozojnë kandidatët”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/