Nën organizimin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, të premten është mbajtur Akademi Përkujtimore në shënim të 20-vjetorit të masakrës së fshatit Llovcë, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, të Gjykatës Themelore, të FSK’së, deputetë të Kuvendit të Republikës dhe qytetarë të shumtë.
Përmes një telegrami, i pari i Gjilanit ka kërkuar nga organet e drejtësisë që ta zbardhin këtë masakër të tmerrshme.
“Shtatë martirët e Llovcës dhe mijëra të tjerë, u sakrifikuan për lirinë, pavarësinë dhe të drejtat e shqiptarëve. Ky është një përvjetor i dhimbjes, por në të njëjtën kohë edhe i krenarisë sepse falë tyre ne po e gëzojmë këtë ditë të bardhë. Kaluan 20 vite dhe akoma kjo masakër makabre mbetet e pazbardhur. Kërkoj nga organet e drejtësisë që ta zbardhin sa më parë dhe autorët ta marrin dënimin meritor. Në këtë mënyrë, eshtrat e tyre do të pushojnë të qetë”, ka thënë Haziri përmes telegramit.
Ndërkaq, kryesuesja e Kuvendit, Shpresa Kurteshi Emini, theksoi se ky 5 prill i kobshëm i vitit 1999, shënon me ngjyra të kuqe të gjakut rënien e këtyre martirëve për të mos vdekur kurrë.
“Ju, familje të nderuara të këtyre martirëve, e di që keni dhimbje të madhe, por në të njëjtën kohë, duhet të ndiheni krenarë që me gjakun e më të dashurve tuaj, sot ne festojmë të lirë dhe duhet të jemi më të bashkuar”, u shpreh Kurteshi Emini.
Në emër të fshatit Llovcë ka folur veprimtari Musa Qerimi, i cili masakrimin e shtatë peronave të pafajshëm e ka cilësuar si gjenocid dhe fashizëm.
Ndërkaq, për herë të parë ka evokuar kujtimet e tmerrit i mbijetuari i masakrës, Behxhet Mehmeti, i cili e ka falënderuar kryetarin Lutfi Haziri për organizimin e akademisë madhështore në shenjë nderimi për martirët dhe familjet e tyre.
“5 prilli i vitit 1999 ka qenë njëra nga ngjarjet më barbare që ka ndodhur në regjionin tonë, ku u vranë dhe u masakruan tetë persona, u plagosën dy dhe u keqtrajtuan dhjetëra të tjerë, në mesin e tyre edhe unë si i marr peng së bashku me Menderez Ramushin dhe Fetije Hazirin. Paramilitarët na torturuan nën kërcënim me vrasje, pasi nuk pranuam që në Llovcë ishin të vendosura strukturat politiko-ushtarake, të cilat ishin bërë me urdhrin e kryetarit aktual të Gjilanit, Lutfi Haziri”, ka thënë Mehmeti.
Në emër të familjeve të martirëve ka folur djali i mësuesit Rahim Ymeri, Fitimi, i cili e ka falënderuar kryetarin Haziri për nderin që u ka bërë këtyre familjeve me këtë akademi përkujtimore.
20 vite më parë, në fshatin Llovcë u masakruan në mënyrën më barbare shtatë persona: Rahim Ymeri (arsimtar), Xhemail Halimi, Xhevrije Zeqiri, Nexhmije Azemi, Rabit Dalipi, Sami Xhelili dhe Avdi Rexhepi.