Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, përmes një reagimi dërguar medieve ka thënë se kohëve të fundit vendit po i ikin njerëzit e kualifikuar dhe të dëshmuar në punët e përditshme.
Sipas Federatës, kur i shtohet kësaj edhe ikja e profesionistëve shëndetësorë për shkaqe të keq menaxhimit, risistemimit sipas kritereve të përshtatshmërisë politike, inateve, smirës dhe plotësimit të tekave të disa menaxherëve të padijshëm dhe të papërgjegjshëm atëherë arrihet kulmi i pakënaqësisë dhe i dezorganizimit të sistemit shëndetësor.
“Ftojmë ministrin e Shëndetësisë për ndërhyrje urgjente në rastin e dorëheqjes nga puna në sistemin publik shëndetësor të kirurgut të mirënjohur Dr. Besnik Bicaj i cili këtë veprim e ka ndërmarrë si pasojë e presionit menaxherial. FSSHK ka informuar se ky nuk është rast i vetëm edhe ekziston rreziku që kjo të kthehet në dukuri. Pyetja është se kush humb dhe kush fiton në këtë rast”, thuhet në reagim.