Gjilani e Drita nuk janë pjesë e garës për titull këtë edicion. Për momentin nuk janë të rrezikuara as për rënie nga elita. Janë në mesin “e artë” të tabelës.
Pavarësisht pozitës së skuadrave në tabelë e forcës së tyre, përballja e Gjilanit dhe Dritës gjithnjë lë në hije ndeshjet e tjera të kampionatit të Kosovës në futboll. Kështu pritet të jetë edhe këtë herë, ndonëse gara për titull dhe ajo për të shmangur rënien dhe për t’i ikur barazhit vlerësohet e fortë si rrallë ndonjëherë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Derbi më i madh në sportin kosovar këtë herë nuk do të luhet në stadiumin e qytetit në Gjilan. Ndeshja do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, të dielën nga ora 20:00. Derbi i madh zhvillohet në kuadër të xhiros së 26-të të IPKO Superligës së Kosovës në futboll.
Derbi zakonisht “ngrohet” ditë më parë me deklarata nga të dy taborët, sidomos nga tifozët. Këtë herë derbi ka fituar në peshë falë deklaratave që kanë ardhur nga pala e tretë. Që derbi gjilanas të luhet në Prishtinë fillimisht kanë kundërshtuar tifozët prishtinas “Plisat”.
Më pas edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, doli kundër, por vendimi që stadiumi më i mirë në Kosovë, “Fadil Vokrri”, të jetë arenë e derbit, mbeti në fuqi.
Klubi Gjilani, si nikoqir i ndeshjes, ka vendosur për “Fadil Vokrri”, pasi stadiumi i qytetit në Gjilan është në rinovim dhe nuk i plotëson kushtet për të ofruar siguri për zhvillimin e ndeshjes./koha/