SBASHK ka vendosur kushte të reja ndaj kërkesës së qeverisë për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës. Në ministrinë e Arsimit, thonë se ende nuk janë mbledhur nënshkrimet e deputetëve për ndryshimin e ligjit, edhe pasi ligji të kalojë në Kuvend nevojiten edhe 9 muaj që ai të hyn në fuqi. Arbër Geci, zëvendësministër i MASHT, tha për Insajderin se para kësaj kohe nuk mund të bëhet asgjë
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, SBASHK, është e palëkundur në kërkesat e tyre për rritjen e koeficientit të pagave. Kësaj radhe, kërkesa e tyre është për pedagogë, psikologë dhe sekretarë të shkollave.
Nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, SBASHK paralajmëron mos kompensim të orëve të humbura gjatë grevës tri javore. Nëse kërkesat plotësohen, Rrahman Jasharaj, udhëheqës i kësaj sindikate, ka thënë se do të mbahet një javë kompensim i procesit mësimor.
“Këshilli drejtues i SBASHK-ut bashkë me kryetarët votuan që në qoftë se parlamenti, ngrit koeficientet për mësimdhënësit 1-5, sekretarët, pedagogët dhe psikologët për t’i barazuar me kolegët tanë 6-9, atëherë ne zotohemi se do ta mbajmë një javë më shumë në fund të vitit” – është shprehur Jasharaj.
Ndërsa, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, MASHT, i ka thënë Insajderit se janë në bashkëpunim me përfaqësuesit e SBASHK-ut për arritje të një marrëveshjeje për zëvendësimin e orëve të humbura.
“Në takimin që kemi pasur në Komisionin Parlamentar për Arsim bashkë me përfaqësuesit e SBASHK-ut, jemi zotuar se do të angazhohemi në përmbushjen e kërkesave për rritje të koeficienteve dhe kemi shprehur vullnetin që bashkërisht të gjejmë një formulë të re për zëvendësimin e orëve të humbura”, ka thënë Arbër Geci, zëvendësministër i MASHT.
Geci ka thënë se deputetët që janë pjesë e Komisionit Parlamentar janë zotuar që të mbledhin nënshkrimet për fillimin e procedurave për plotësimin e ndryshimit të ligjit për pagat. 9 muaj pas votimit në Kuvendin e Kosovës, ligji hyn në fuqi dhe sipas Gecit, para kësaj date, është e pamundur të ndryshohet.
“Nga ana tjetër duhet të sqaroj se rritja e koeficienteve për paga është një çështje tjetër dhe kërkon kohën e vet, ndërkaq zëvendësimi i orëve është një proces tjetër që kërkon veprime të menjëhershme. Këto dy çështje janë të ndara edhe për nga rëndësia por edhe në aspektin kohor”, ka shtuar Geci.
Udhëzim Administrativ për Kalendarin e Vitit Shkollor 2018/19, obligon për t’i realizuar ditët e parapara të mësimit. Respektivisht për nxënësit në shkollat e mesme të larta 160 ditë mësimi, për nxënësit e klasave 9, 10 dhe 11, 175 ditë mësimi dhe për nxënësit e klasave nga 1 deri në 8, 184 ditë mësimi.
MASHT ka shtuar se çdo lëvizje nga ky kalendar apo mos përmbushja e këtyre ditëve mësimore është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe shkon drejtpërdrejtë në dëm të procesit mësimor dhe të nxënësve.