Kuvendi Komunal i Gjilanit, nën drejtimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ka shqyrtuar dhe miratuar të mërkurën raportin financiar janar-mars 2019, raportin e panelit përzgjedhës të anëtarëve të Komitetit konsultativ për personat me aftësi të kufizuar si dhe të Komitetit konsultativ të ekspertëve të planifikimit hapësinor, vendimin për ndryshime dhe plotësime në KKSB si dhe kërkesën e Teatrit të qytetit për mbështetje financiare në shumën prej mbi 75 mijë euro.
Ndërkaq, vendimi për miratimin e taksës për leje ndërtimore dhe tarifës për rregullimin e infrastrukturës, për vitin 2019, me propozimin e këshilltares Mimoza Kadriu dhe përkrahjen e anëtarëve tjerë të Kuvendit, është shtyrë për seancën tjetër. Kuvendi është dakorduar që edhe kërkesa e pronarëve të tokave në ish-kampin “Montith” që ka të bëje me zbatimin e planit rregullues, të cilën e ngriti Shefik Surdulli, ta diskutojë në seancën e ardhshme.
Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvebdit, tha se më parë duhet të marrin një informatë më të hollësishme nga Drejtoria e Urbanizimit, rreth zbatimit të planit rregullues në këtë zonë si dhe hartimit të hartës zonale.
Paraprakisht është zhvilluar procedura e betimit të katër anëtarëve të rinj të Kuvendit, Isa Agushi, Rijad Elezi, Xhevat Demiri e Renan Imami, të cilët kanë zëvendësuar Faton Bislimin (LDK), Ramiz Ramadanin (LDK), Nazim Gagicën (AAK) e Kadir Hysein (PDTK), disa prej të cilëve i kanë dorëzuar mandatet prej më shumë se një viti, për arsye të angazhimit në detyra ekzekutive, por vendet e tyre nuk kanë mundur të plotësohen deri tani për shkak të mosfunksionimit të KQZ-së. Isa Agushi ka deklaruar se është tërhequr nga LDK-ja dhe në Kuvend do të jetë këshilltar i pavarur.
Përndryshe, duke u përgjigjur në interesimet e anëtarëve të Kuvendit, kryesisht të opozitës, nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, në lidhje me çështjen e ngritur nga Riza Abdyli (PDK), ka thënë se është e vërtetë që ka ankesa nga qytetarët me emërtimet e rrugëve, tani që ka filluar vendosja e tabelave dhe ka premtuar se do të shikohet mundësia për t`i diskutuar shqetësimet e tyre me komisionin përkatës. Kurse sa i përket asfaltimit të rrugës Vërbicë-Sllovi, që e ka ngritur Arianit Sadiku (VV) ai ka thënë se procesi është në vlerësim dhe pritet që brenda javës të vendoset.
Një problem tjetër që është ngritur nga këshilltari Ibish Ibishi, ishte ai i paralajmërimit për mbledhjen e borxhit me përmbarues privat, duke e cilësuar këtë si një masë jo të pëlqyer.
Ismajli ka thënë se paraprakisht janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë tjera për të arkëtuar borxhin, por meqë disa prej borxhlinjve nuk i janë përgjigjur asnjë apeli të Komunës, tani do të reagohet me përmbarues, por ka siguruar se në këtë fazë nuk përfshihen ekonomitë familjare, por vetëm bizneset.
Sqarime shtesë rreth kësaj çështje, ka dhënë drejtori i Buxhetit, Zijadin Maliqi, i cili ka thënë se ne nuk kemi të drejtë të falim borxhe, prandaj jemi të detyruar t`i arkëtojmë këto mjete disi, meqenëse pritjet dhe lutjet tona për t`i kryer obligimet, qoftë edhe përmes ri-programimit, nuk janë marrë parasysh.
Mimoza Kadriu i ka paraqitur ankesat e lagjes “Iliria” (ish-Kamniku) ndaj operatorëve privatë, të cilët shfrytëzojnë për biznes hapësirën publike, të destinuar për banesat kolektive, ndërkohë që banorët kanë problem të gjejnë vend për t`i parkuar makinat e tyre.
Për më tepër, në pyetjet tjera të këshilltarëve komunalë, Avdyl Aliu (LDK), Nevzad Isufi (VV), Arta Haziri (AAK), sArbëreshë Kryeziu-Hyseni (VV), Festa Shabani (e pavarur), Nehat Osmani (VV) Isa Agushi (i pavarur), Arijeta Rexhepi (VV), Shemsedin Elezi (LDK), Xhevat DEmiri (AAK), Anila Tusha (Nisma), Bujar Nevzati (PDK) dhe të tjerë, janë përgjigjur drejtorët Bekim Bajrami (DUMM), Selami Xhemajli (DSHMS), Nevzat Rushiti (DI), Bardhyl Syla (DAP), Zijadin Maliqi (DBF), Naser Korça (DSHP) e Shpresa Hajdari (DKRS).
Sa i përket raportit financiar, ku me pyetje, vërejtje e lëvdata u përfshinë Nevzat Isufi, Avdyl Aliu, Enver Hajrullahu e Arijeta Rexhepi, drejtori Zijadin Maliqi ka thënë se realizimi i të hyrave më së mirë shihet në raportin përfundimtar, sepse edhe plani bëhet për tërë vitin. Buxheti përfundimtar për vitin 2019, me mjetet nga grandi, mjetet vetanake të vitit 2019, donacionet dhe participim i qytetarëve arrin shumën prej 25.944.406 euro.
Kuvendi ka mbështetur njëzëri edhe kërkesën e Teatrit të qytetit për ndarjen e mjeteve në lartësi prej mbi 75 mijë euro, shumë kjo që, siç ka thënë Gentrit Murseli, kryesues i Komitetit për Kulturë, Rini dhe Sport, nevojitet për kompensimin e stafit artistik dhe teknik si dhe për aktivitetet e teatrit për vitin 2019.
Shpresoj që kjo shumë do t`i ndihmojë tetarit që t`i realizojë aktivitetet e parapara për vitin 2019, ka thënë ai.
Murseli, sikurse edhe Festa Shabani, Arta Haziri, Fitim Guda e Riza Abdyli kanë përshëndetur vendimin e qeverisë për të zgjidhur problemin e financimit të teatrove në Kosovë përmes gratit, duke krijuar një kod të veçantë buxhetor prej vitit 2020.
Me vendim të Kuvendit, Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi është plotësuar edhe me një anëtar të ri, Sheh Muhamed Shehin, përfaqësues nga Bashkësia e Shejhlerëve në Gjilan, ndërkaq, me kërkesën e FSK-së, përfaqësuesi i saj, Bashkim Hamdiu është zëvendësuar me Afrim Xhelilin.
Kuvendi po ashtu ka miratuar përbërjen e dy komiteteve të reja, të cilët janë zgjedhur përmes procedurës së konkursit si dhe dy respektuar kriteret tjera mbi përfaqësimin gjinor dhe etnik, për aq sa ka qenë e mundur.