Pavarësisht faktit që të dy krerët institucionalë të Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi e Kryeministri Ramush Haradinaj, ishin pjesë e Samitit të Berlinit, ata pas takimit dolën me deklarime të kundërta rreth çështjes së liberalizimit të vizave.
Përderisa Thaçi gjatë ditës së djeshme, menjëherë pasi përfundoi takimi, tha se në Berlin morën lajme zhgënjyese rreth vizave, Haradinaj gjatë ditës së sotme deklaroi se Gjermania i tha “po” liberalizimit.
“Çështja e liberalizimit të vizave ka qenë në një pozicion injorues dhe zhgënjyes edhe në takimin e sotëm”, deklaroi dje kreu i shtetit.
Thaçi më tej pohoi se në takimin e djeshëm kishte paqartësi të dukshme rreth çështjes së vizave.
“Kemi theksuar shumë qartë që Kosovës i duhet patjetër vendimi për liberalizimin e vizave, sepse Kosova e meriton. Prandaj, nëse diçka e tillë nuk do të ndodhë në të ardhmen e afërt do të jetë zhgënjyese për qytetarët. Edhe sot kishte një paqartësi rreth kësaj”, potencoi ai.
Ndërkohë, kryeministri Haradinaj falënderoi Gjermaninë për “po”-në, që sipas tij, ia premtoi Kosovës rreth vizave.
“Pas takimit me Ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer, morëm ‘Po’-në e Gjermanisë për liberalizimin e vizave. Faleminderit Kancelares Merkel dhe shtetit gjerman për besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme për popullin e Kosovës”, shkroi sot Haradinaj.
Samiti i djeshëm i Berlinit, ku morën pjesë liderët e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, u organizua nga Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez Emmanuel Macron./ZËRI