Ka rreth një dekadë që liderët politikë të Kosovës kanë premtuar liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit. Presidenti i aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, derisa ishte kryeministër, disa herë kishte premtuar liberalizim të vizave. Edhe këtë vit, kryeministri Ramush Haradinaj, por edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kanë përmendur muajin qershor, si mundësi për heqjen e vizave.
Para Samitit të Berlinit, që u mbajt të hënën, presidenti Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, konfirmuan se çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të diskutohet në takimet e tyre me udhëheqësit gjermanë dhe francezë në margjinat e Samitit, ku ishin të pranishëm liderët e Ballkanit Perëndimor. Mirëpo pas këtyre takimeve, presidenti Thaçi tha se, siç u shpreh ai, “edhe sonte kishte paqartësi rreth këtij procesi. Është diskriminim dhe ndëshkim për Kosovën”.
Për dallim nga presidenti Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj thotë se ka marrë mbështetjen e Gjermanisë për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Ai këto komente i bëri pas një takimi që zhvilloi me ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer.
“Pas takimit me ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer, morëm “Po”-në e Gjermanisë për liberalizimin e vizave”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.
Premtimet që këtë vit do të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës, sipas njohësve të këtyre çështjeve në Kosovë, janë joserioze, kur dihet që institucionet e Bashkimit Evropian, janë në proces të zgjedhjeve. Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se liderët e Kosovës nuk kanë menduar mirë kur janë deklaruar se sivjet mund të ndodhë liberalizimi i vizave.
“Të presësh nga Gjermania dhe Franca apo cilido shtet tjetër i BE-së, që të marrë një veprim radikal të tillë, që të liberalizojë vizat për një vend tjetër, pa marrë parasysh cili është ai, në këtë rast ka ndodhur të jemi ne, mendoj se është shumë e paarsyeshme, joprofesionale dhe jo mirë e menduar”, tha Ujkani.
Sipas profesorit Ujkani, në momentin kur të ndodhë konstituimi i institucioneve të reja të Bashkimi Evropian, në muajit tetor apo nëntor të këtij viti, atëherë edhe mund të pritet diçka pozitive.
“Nuk guxojmë të hedhim krejt me një anë kontributin e këtyre dy vendeve që kanë dhënë për shtetin e Kosovës, për qytetarët e Kosovës dhe për atë që është sot Kosova. Nuk guxojmë ta hedhim poshtë me një veprim të tillë. Edhe ata kanë çështje të brendshme që duhet t’i kuptojmë”, tha Ujkani.
Ndërkaq Taulant Kryeziu, nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), tha për Radion Evropa e Lirë se liderët e Kosovës po e humbin edhe besimin e qytetarëve, duke premtuar shumë shpesh heqjen e vizave dhe udhëtimin e lirë në zonën Schengen.
“Gabimi fundamental që po bëjnë udhëheqësit institucionalë është në këtë rritjen e pritshmërive që po e bëjnë karshi qytetarëve të vendit, dhe atë po e bëjnë ekskluzivisht për përfitime politike, por në fund as ato përfitime politike, apo as atë grusht vota ata nuk po arrin ta marrin, vetëm sa po rrisin frustrimin te qytetarët e vendit”, tha Kryeziu.
Ai tha se nëse Kosova dështon të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, përsëri do të jetë e vështirë që të vendet kryesore të Bashkimit Evropian, të mbështesin liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Nuk dëshirojnë transportim të kriminalitetit në vendin e tyre, kanë frikën e migrimit ilegal. Nuk duan që qytetarët tonë të bëhen barrë e taksapaguesve të tyre. Tanimë është edhe momentumi i tyre i brendshëm si rezultat i rritjes së forcave të djathta ekstreme, të cilat po e përdorin këtë argument, dhe nuk duhet pritur që në prag të zgjedhjeve të kishim një vendimmarrje të vendeve të fuqishme të BE-së. Ne e dimë që problemi kryesor janë Franca, Gjermania, Holanda apo vendet e mëdha”, tha Kryeziu.
Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të cilët i nënshtrohen regjimit të vizave për të lëvizur në zonën Schengen./REL