Zyrat e Gjendjes Civile nëpër komunat e vendit kanë mbetur pa certifikata.
Në mungesë të formularëve, lëshimi i dokumenteve tash e sa kohë po bëhet vetëm në letër të bardhë. Ndonëse ishin ndarë mbi 1 milion euro për furnizim me rreth 600 mijë certifikata të tilla, tenderi u anulua pas pak ditësh. MPB ka shpallur sërish tender për këtë punë, e furnizimi pritet të fillojë nga 5 maji. Ndërkohë, nëpër komuna deklarojnë se nëse nuk gjendet zgjidhje shpejt, ata do të detyrohen ta ndalin dhënien e certifikatave.
Mbi 1 milionë euro ishin paraparë të shpenzoheshin nga “kuleta” e Shtetit për të furnizuar komunat e vendit me certifikata të gjendjes civile. Më gjithë këto para planifikohej që të bliheshin rreth 600 mijë certifikata të tilla.
Por, vetëm pak ditë pas shpalljes së tenderit, Organi Shqyrtues i Prokurimit vendosi që të anulojë tenderin e shpallur nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Në MPB i kanë thënë Gazetës Express para disa ditësh se tenderi i shpallur lidhur me certifikatat e gjendjes civile do të përfundojë më 5 maj të 2019’ës.
Behar Haziraj nga kjo ministri, ka deklaruar se pas kësaj date do të shpallet ofertuesi dhe do të fillojë furnizimi me certifikata.
“Tenderi i shpallur nga MPB’ja në lidhje me certifikatat e gjendjes civile do të përfundojë me 5 maj 2019, pas kësaj date do të shpallet ofertuesi dhe do të fillojë furnizimi me certifikata” kishte thënë Haziraj.
E në mungesë të formularëve, lëshimi i dokumenteve tash e sa kohë po bëhet vetëm në letër të bardhë. Një gjendje e tillë pritet të vazhdojë edhe ditëve në vijim.
Problem më të madh për furnizim me të tilla certifikata po kanë komunat e mëdha.
Madje, disa prej komunave paralajmërojnë se nëse nuk gjendet zgjidhje, do të detyrohen të ndalin dhënien e certifikatave.
Në Komunën e Prishtinës deklarojnë se ata kanë në dispozicion një sasi të caktuar të letrës për certifikata të gjendjes civile të cilat po i përdorin në raste të veçanta për të mos i lënë qytetarët pa shërbime.
Deklarojnë se deri sa të bëhet furnizimi i ri, dokumentet e gjendjes civile do të shtypen vetëm në letër të bardhë, A4.
“Komuna e Prishtinës, e ka një sasi të caktuar të letrës për certifikata të gjendjes civile të cilat i përdorë në rastet e veçanta, në mënyrë që qytetarët të mos mbesin pa shërbime. Ndërsa për rastet tjera, derisa të sigurohet furnizim i ri nga Ministria e Punëve të Brendshme, shërbimi mbetet i njëjtë, sikur në të gjithë Kosovën, pra dokumentet e gjendjes civile shtypen në letër të bardhë, A4”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Informim.
Gjendje edhe më e rëndë sa i përket furnizimit me certifikata është në Komunën e Gjilanit.
Drejtori i Drejtorisë së Administratës në këtë komunë, Bardhyl Syla ka deklaruar se ata nuk kanë certifikata në dispozicion dhe se aktualisht janë duke huazuar nga komunat e tjera.
Syla deklaron se certifikata janë duke u dhënë kryesisht qytetarëve që po aplikojnë për viza nëpër ambasada. Por, thotë se nëse vazhdon kjo gjendje ata do të detyrohen ta ndalin dhënien e certifikatave.
“Nuk kemi certifikata në dispozicion dhe jemi duke huazuar certifikata nga komuna e Vitisë dhe e Artanës. Kryesisht jemi duke iu dhënë certifikata qytetarëve të cilët janë duke aplikuar për viza në ambasada të shteteve të ndryshme. Nëse vazhdon ky ritëm me mungesë të tyre, atëherë do të detyrohemi të ndalim dhënien e certifikatave të gjendjes civile” , ka thënë Syla.
Edhe Komunën e Prizrenit deklarojnë se në mungesë të formularëve, ata janë duke lëshuar dokumente në letër të bardhë që nga 28 maji.
Zëdhënësi për media në Komunën e Prizrenit, Lis Dorambari ka thënë se Drejtoria e Administratës ka në dispozicion pak certifikata.
“Në këtë drejtim, në mungesë të formularëve (dokumente të gjendjes civile), e me qëllim të realizimit të të drejtave të qytetarëve për pajisje me dokumente të gjendjes civile, prej datës 28.03.2019 është filluar me lëshimin e dokumenteve në letër të bardhë nga sistemi i gjendjes civile, deri në njoftimin tjetër nga ARC-ja”, thuhet në përgjigjet e Komunës së Prizrenit.
Dorambari paralajmëron se nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje shpejt, mund të krijohet situatë e vështirë.
“Drejtoria e Administratës për momentin ka një sasi të caktuar të certifikata për nevoja qytetare që mund t’i shfrytëzojë për një afat të shkurtër, por në qoftë se nuk mundësohen furnizimet e reja të certifikatave, mund të krijohet situatë e vështirë edhe në komunën tonë”, ka thënë Dorambari.
Për dallim prej Komunës së Prishtinës, Gjilanit e Prizrenit, në komunat më të vogla nuk e kanë një problem të tillë. Në këto komuna deklarojnë se furnizimi është kryer me kohë dhe sipas planifikimeve të tyre.
Në Komunën e Podujevës deklarojnë se nuk kanë mungesë të certifikatave.
Zëdhënësi për media në këtë komunë, Nazmi Elezi ka thënë se ata kanë numër të mjaftueshëm të certifikatave
“Gjendja me furnizim me certifikatat e gjendjes civile në Komunën e Podujevës është e mirë dhe në përputhje me planifikimet që kemi bërë. Kemi numër të mjaftueshëm të certifikatave, sepse siç e thamë më lart, furnizimi është bërë me kohë dhe konform planifikimeve tona”, ka thënë Elezi.
Certifkatat nuk po mungojnë as në Drenas e Fushë Kosovë.
Zëdhënësi i kësaj komune, Bekim Dobra tregon se aktualisht kanë në stok edhe rreth 4 mijë certifikata. Shpreson se do t’iu mjaftojnë deri në lidhjen e kontratës së re.
“Drejtoria e Administratës se Përgjithshme, përkatësisht Zyra e Gjendjes Civile ne Drenas është furnizuar me një sasi me te madhe te certifikatave duke pasur parasysh skadimin e kontratës. Prandaj ne stok gjenden përafërsisht edhe 4000 certifikata te cilat shpresojmë se do te mjaftojnë deri në lidhjen e kontratës se ardhshme”, thuhet në përgjigjet e Dobrës.
Zëdhënësi për media në Komunën e Fushë Kosovës, Ali Topalli ka thënë se aktualisht ata aktualisht janë të pajisur vetëm me certifikata për përdorim të brendshëm.
“Certifikata të brendshme kemi kurse për jashtë nuk ka”, ka thënë Topalli.
Por, këtij problemi duket se po i vjen fundi. Komunat pritet që shumë shpejt të furnizohen me certifikata të gjendjes civile.
Gazeta ka provuar sërish që të marrë përgjigje nga MPB’ja rreth këtij tenderi, por si zakonisht nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndryshe, në mungesë të certifikatave, ARC’ja u kishte kërkuar të gjitha Zyrave Komunale të Gjendjes Civile në Kosovë që në mungesë të formularëve të përdorin metodat alternative.
Agjencia kishte njoftuar gjithë zyrat që të fillojnë me lëshimin e dokumenteve me letër të bardhë nga sistemi i gjendjes civile, deri në një njoftim tjetër.
“ARC u ka dërguar një njoftim të gjitha zyrave të gjendjes civile, që në mungesë të formularëve(dokumenteve të gjendjes civile), me qëllim të realizmit të drejtave të qytetarëve për pajisje me dokumente të gjendjes civile, nga sot më datë 28.03.2019, të fillohet me lëshimin e dokumenteve me letër të bardhë nga sistemi i gjendjes civile, deri në njoftimin tjetër”, thuhej në komunikatën e këtij institucioni drejtuar mediave.
Por, si gjithmonë, pasojat e anulimit të këtij tenderi do t’i vuajnë qytetarët e vendit.
Gjithë kosovarët të cilët planifikojnë të aplikojnë për ndonjë vizë në ndonjë prej ambasadave të huaja që gjenden në Kosovë, do të kenë probleme, meqenëse certifikatat që lëshohen në letër të bardhë mund të shfrytëzohen vetëm për përdorim të brendshëm në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. “Këto dokumente do të përdoren vetëm për përdorim të brendshëm në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhej tutje në komunikatën e ARC’së./Rtk/