Afaristët që operojnë në tregun e Kosovës përmes lojërave të fatit nga kjo e premte mund të ndiqen penalisht. Ligji për ndalimin e lojërave të fatit ka nisur zbatimin nga organet e drejtësisë. Përmes këtij ligji janë mbyllur: 23 baste të cilat kishin 306 njësi, 17 veprimtari për Automate me 133 njësi si dhe 6 veprimtari Bingo me 6 njësi.
“Për çdo rast që do të ndeshmi me këtë veprimtari që nuk respekton dispozitat e ligjit të ri atëherë janë instancat e drejtësisë dhe të rendit të cilat duhet të merren me këto aktivitete:, tha Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse në Administratën Tatimore të Kosovës.
Një pjesë e qytetarëve thonë se ky vendim ka qenë i mirëseardhur në veçanti për kujdesin ndaj rinisë.
“Pa kontroll nuk duhet kush hyn e kush del. Duhet pasur kontroll mbi rininë”, tha një qytetar. “Gjeneratat e reja mund të krijojnë varësi dhe të falimentojnë familjet e tyre. Mendoj se duhet të jemi strikt dhe të ndalohen lojërat e fatit” u shpreh një tjetër.
“Është mirë që lojërat e fatit të ndalen sepse nuk sjellin asgjë të mirë”, u shpreh një i ri.
Megjithëkëtë forma online po mendohet të jetë një metodë e funksionimit. Disa prej tyre kishin hapur faqe interneti edhe para shfuqizimit të ligjit për funksionimin e lojërave të fatit.
“Nuk është se kemi vërejtur subjekte që kanë zhvilluar aktivitetin e tyre në mënyrë online. Meqë kanë pasur mundësinë për të ushtuar veprimatarinë e tyre në bazë të dispozitave ligjore. “, shtoi Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse në Administratën Tatimore të Kosovës
Këto biznese kishin deklaruar të punësuar rreth 2300 punëtorë. Vendimi i për mbylljen e lojërave të fatit u morë nga Kuvendi i Kosovës më 28 mars të këtij viti, pas vrasjeve njëra në Suharekë e tjetra në Lipjan. Kjo kishte bërë që Komuna e Suharekës të inicionte edhe një peticion me 11 mijë nënshkrime të cilin më pas ia dorëzojë kuvendit me qëllim të mbylljes së lojërave të fatit.