Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjilan, Selami Xhemaili, në konferencën për media, ka thënë se ndërtimi i objektit të QKMF-së ka marrë mbështetjen shtesë nga Ministria dhe Komuna që brenda këtij viti të përfundoj ky projekt, duke shënuar gjithashtu edhe një kujdes të vazhdueshëm në shëndetësinë primare.
“Nënshkrimi i aneks marrëveshjes në mes të kryetarit të Komunës dhe ministrit të Shëndetësisë, ka bërë të mundur vazhdimin e punimeve deri në përfundim të këtij projekti, i cili llogaritet se është zgjidhje për 50 vitet ardhshme për shëndetësinë primare. Gjithashtu, në sektorin e shëndetësisë këtë vit kemi bërë hapjen e shërbimeve të laboratorit në lagjen Arbëria. Në këtë periudhë falë angazhimit të kryetarit Haziri sektori primar i shëndetësisë dhe ai regjional, kanë pranuar donacion mbi 50 mijë euro në sanitari dhe kujdes për pacientët”, ka thënë drejtori Xhemaili.
Ai, njëkohësisht, ka thënë se do të vazhdohet me projekte në infrastrukturë, ku sipas tij së shpejti fillon ndërtimi i objektit në fshatin Llashticë, renovimi i objekteve shëndetësore në lagjen Dardania, fshatin Uglar dhe disa objekte të tjera shëndetësore.
Në sektorin e mirëqenies sociale aktivitetet kryesore drejtori Xhemajli i ka paraqitur, ndërtimin e fshatit social, renovimet e shtëpive dhe projekte të tjera që janë në këtë kategori të përgjegjësisë.
“Punët në ndërtimin e fshatit po ecin mirë. Deri më tani gjithçka është në kuadër të marrëveshjes me qeverinë e Kuvajtit. Komuna e Gjilanit do të jetë mbështetëse e vazhdueshme deri në finalizimin e projektit. Është përfunduar renovimi i gjashtë shtëpive të familjeve me gjendje të rëndë sociale. Falë nënshkrimit të marrëveshjes së mirëkuptimit me shoqatën bëmirëse “Jetimat e Ballkanit” ka filluar ndërtimi i shtëpive për njëzet familje të cilat janë me gjendje të rëndë sociale, realizimi i këtij projekti pritet të përfundoj në afat prej tre muajsh”, ka thënë ai.
Drejtori Xhemaili theksoi se për familjet në nevojë gjatë muajit të ramazanit ka shpërndarë pako ushqimore në bashkëpunim me shoqatat “Riliefi Islamik Kosova” dhe “Jetimat e Ballkanit” në një sasi prej mbi 200 pako.
“Kemi vazhduar me pagesën e qerave të banimit për 50 familje si dhe trajtimin e të gjitha kërkesave të qytetarëve për kompensimin e barnave për rastet me sëmundje të rënda”, ka përfunduar Xhemaili.