Deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka deklaruar se Kosova po vazhdon të ketë arsim të dobët, e një pjesë të fajit për këtë sipas saj e ka Ministria e Arsimit.
Ajo tha se arsimi po vazhdon vetëm me sasi, ku tha se nuk ka mbetur askush pa fakultet.
“Pa arsim cilësor nuk ka as zhvillim ekonomik, as mirëqenie sociale. MAShT ka dështuar në shumë çështje të cilat do të mundohem t’i numëroj, arsimi po vazhdon me cilësi jashtëzakonisht të dobët në të gjitha nivelet, për këtë pajtohemi të gjithë besoj. Arsimi po vazhdon me sasi saqë nuk mbeti askush pa fakultet, është mirë në njërën anë që të gjithë po dalin me diploma, por vije në pyetje se çfarë diploma dhe çfarë kuadro po nxjerrin këto universitete. Arsimi nuk përputhet aspak me tregun e punës, shpesh mungojnë kuadrot profesionale në fusha të ndryshme të specializuara, ndërsa kemi kuadro tepricë. Nuk ka logjikë kur nuk përputhet arsimi me tregun e punës. Nuk ka zë brenda dhe jashtë vendit, përfshirë edhe Komisionin Evropian që nuk thotë se arsimi është uzurpuar nga partia në pushtet”, tha ajo.
Ajo tha se vetëm në raportin e fundit të Komisionit Evropian nuk ka akuzë më të madhe sesa të thuhet se arsimi i lartë mbetet një sektor me rrezik të lartë për korrupsion dhe ndikim politik.
Deputetja tha se korrupsion është edhe kur ministria e Arsimit mbushet me militantë të partisë që udhëheqë ministrinë.