Sukseset e nxënësve gjilanas nëpër gara të ndryshme ndërkombëtare, çfarëdo qofshin ato nuk po mungojnë. Edhe nxënësja gjilanase Yllka Suliqi, është treguar e suksesshme në mesin e shumë garueseve nga vendet e ndryshme të botës, pasi ka arritur ta zë vendin e tretë në garat ndërkombëtare “Genius Olympiad”, përkatësisht në garat shkencore rreth mjedisit, që janë mbajtur në Oswego të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Në këtë garë kanë marrë pjesë garues nga rreth 80 vende të botes, ndër to veçohen, Japonia, Kina, Korea, Finlanda, e të tjerë, dhe unë duke përfaqësuar shtetin tim, Kosovën, me projektin tim për pastrimin e ujërave. Dhe nga një juri profesionale e përbërë prej 30 anëtarëve arrita të dali e treta”, ka thënë Suliqi për Portalin 2LONLINE.
Si nxënëse e klasës së 10-të, ajo ka bërë me dije se ndjekë mësimet e saja në shkollën “Mehmet Akif”. Suliqi ka bërë me dije se fillimisht ka marrë pjesë në garat nacionale “Mac Pro”, në Kosovë ku ka marrë pjesë me të njëjtin projekt dhe ka fituar çmimin“Golden Medal”, duke rrëmbyer vendin e parë, për të vazhduar tutje drejt sukseseve tjera.
Ajo premton se nuk do të ndalet në rrugën e dijes dhe se, synon që të marr pjesë edhe në vitin e ardhshëm në garat “Genius Olympiad” dhe sërish shpreson dhe beson se do të tregohet e suksesshme, e të dal fituese përsëri nga ky konkurrim në kategori përkatëse të garës.
“Çmimet që kam fituar, si në Kosovë ashtu edhe në SHBA janë një motiv shtesë për mua që të vazhdoj tutje drejt realizimit të ëndrrave të mia. Vitin e ardhshëm planifikoj që të konkurroj prapë në garat ndërkombëtare “Genius Olympiad”, me të njëjtin projekt veçse më të detajuar”, u shpreh Suliqi, duke potencuar se do të vazhdojë hulumtimet në këtë fushë, për ta përsosur sa më shumë studimin.
Ndryshe, në kuadër të garave ndërkombëtare “Genius Olympiad”që mbahet tani e nëntë vite me radhë, marrin pjesë rreth 1mijë e 300 konkurrentë që garojnë në fusha të ndryshme si në atë të shkencës, robotikës, artit…