Shkruan Nehat Osmani
Aty ky pushteti të largon nga libri, aty njerëzit ikin dhe braktisin qytetin. Qyteti mbetet si shtëpia pa njerëz. Aty, atëherë, dhe vet qyteti vdes.
Pushteti dhe qeveria lokale me barrikadimin e hapjes së “Panairit të Librit” ka barrikaduar më shumë se një traditë të ndritur të qytetit të Gjilanit të nisur që nga viti 1972 i largët. Ka barrikaduar dyert e “shtëpisë” së diturisë, shkencës, teknologjisë. Aty ku poezia, fantazia, arti tuboheshin nën një kulm e Gilanin afirmonin si djepin e qytetërimit dhe kulturës së republikës sonë.
Aty ku ideologjive partiake u hapen dyert, ndërsa vlerave të mirëfillta letrare e shkencore u shuhet zëri, aty dhe popullit i zihet fryma e qytetarët ndihen të shtypur, aty pra gjymtohet lumturia, shpresa e shpirti i atij qyteti.
Kryetari Haziri me hapjen e dyerve të teatrit për promovimin e librave të “shkrimtarit” Adnan Merovci, më shumë se po promovonte autorë të kuazi veprave politike e temave partiake ku po mbledhte bashkëpartiakët, bashkëmendimtarët dhe shokët e tij, më shumë po injoronte dhe bastardonte të arriturat dhe krijimtaritë e fundit të shtëpive më të njohura botuese mbarëkombëtare, ku mbledheshin elita krijuese dhe ajka e intelegjencies kombëtare.
Aty ku grisen gjurmët e gjeneratave e baballarëve tanë, aty atëherë shtrembërohet historiku i qytetit, aty pra asfiksohet qytetërimi i qytetit tonë.
Me pafuqinë për t’i risjellur “Panairin e Librit” Gjilanit fortifikohet bindja e një “karizme shterpe” të kësaj kaste udhëheqëse të komunës për të ndaluar bartjen dhe çvendosjen e vlerave kulturore dhe emblematike drejt qyteteve tjera të Kosovës.
Gjilani e kishte panairin e Librit atëherë kur askush s’e kishte e duhet ta ketë edhe sot e përherë për të ruajtur trashëgiminë e krijuar e afirmuar ndër breze dhe për të rikthyer e ringjallur epitetin nostalgjik të “ Qytetit të kulturës”
SHPLONI KUBËZAT QYTETËRUESE TË GILANIT, CIVILIZIMI I QYTETIT TONË KA NISUR EDHE PARA ARDHJES SUAJ KËTU!
Autori është Nënkryetar i LVV-Gjilan