Gatronomia dhe hotelieria nga fushat më të zhvilluara në Kosovë, po ecë me ritëm të shpejtë edhe në Gjilan.
Në pothuajse çdo pjesë të qytetit shihen kafiteritë, secila më e veçantë se tjetra, por me të njejtin qëllim.. makiato, pije, argëtimi dhe muzika.
Pavarësisht se të gjitha ofrojnë produktet e njejta dhe janë të njejta në esencë, numri i tyre vazhdon të rritet dhe cdonjëra nga to ka shërbimet, hapësirat, atmosferën dhe klientët e saj.
Por, një gjë i bashkon gjithmonë, çmimi. Kur bëhet fjalë për ndryshimet e çmimeve, kafiteritë sikur arrijnë një marrëveshje të fshehtë, duke rritur koston e kafesë dhe pijeve të tjera.
Së fundmi, rritja e çmimeve në Gjilan ka ndodhur në disa kafiteri dhe në të tjera jo, duke rritur cmimin e kafesë, pijeve dhe ushqimeve, por kjo pa ndonjë shpjegim.
Kjo dëmton jo vetëm lokalin e caktuar, por edhe tregun dhe konkurrencën në përgjithësi.
Këtë e rregullon edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, i cili shpesh konfirmon që çmimet e kafesë nuk do të rriten, por kështu nuk ndodh rëndom në praktikë.
Arsyeja tashmë dihet, fluksi i kërkesave, puna e zgjatur, numri i klientëve. Në fakt, numri rritet për dy apo tre fish, për shkak të diasporës së madhe të Anamoravës në mërgim, por rritjet e çmimeve nuk e prekin vetëm konsumatorin ‘e huaj’ që në fakt është shqiptar që jeton jashtë Kosovës.
Ndryshimet e çmimeve janë të papërballueshme për klientin vendor, i cili frekuenton kafiterin tuaj ndoshta çdo ditë të vitit dhe kjo nuk është aspak serioze dhe etike në të bërit biznes.
Ajo që është më e dhimbshme në këtë mes, janë punëtorët të cilët bartin shumicën e përgjegjësisë dhe lodhjes në raport me punën e përditshme me klientë, me ata të cilëve gjatë verës ju kërkohet të paguajnë 0.20 cent, 0.50 cent apo 1 euro më shumë.
Dhe në këtë aspekt, harrohet shërbimi dhe punëtori, i cili punon me orë të tëra, me orar e pa të, vetëm për ta kryer punën e tij.
Ai e ka punë, mirë.. por, e keni pyetur sa kafe i shërben ai në ditë, sa pije, sa birra?! Por, sa paguhet për këtë, më pak se ¼ e fitimit tuaj ditor, ndërsa ai punon 30 ditë të muajit.
Ai që e do punën punon dhe këtë e dëshmojnë çdo ditë, por kur rrisni çmimet, shërbimet, oraret… rrisni edhe pagat.
Me dëshirë e pa dëshirë të rinjtë kanë zgjedhur këtë ‘profesion’, i cili si në shumë qytete edhe në Gjilan garanton punë, por pas punës duhet të vie shpërblimi.