Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka hyrë në fazën e fundit të procesit të gjatë zgjedhor.
Kryesia e partisë tashmë ka vendosur që Kuvendi Zgjedhor të mbahet më 3 gusht.
Një proces shumë i ngarkuar zgjedhor e ka përcjellë LDK-në kësaj herë. Rrahjet, akuzat e kundërakuzat ndërmjet kandidatëve e delegatëve e kanë bërë procesin të mundimshëm.
Mirëpo, deri më tash asnjë nga emrat e përmendur për kryetar të LDK-së nuk e kanë shpallur zyrtarisht kandidaturën për të parin e partisë.
Emrat që më së shumti janë përmendur gjaë kësaj kohe për ta marrë timonin e partisë janë kryetari aktual, Isa Mustafa, nënkryetari i partisë dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, si dhe deputetja Vjosa Osmani.
Në ndërkohë, janë përfolur edhe dy-tre emra tjerë, megjithatë, asnjëri prej tyre nuk është deklaruar deri më tash, shkruan Ballkani.info.
Derisa procesi po shkon drejt fundit, delegatët që do të votojnë kryetarin e ri (të vjetër) të LDK-së duket se janë në hall se kë ta votojnë kësaj here.
Nisur nga kjo, një disponim ekziston që në krye të partisë të vije një lider i ri, në mënyrë që partia më e madhe aktualisht në vend sa i përket numrit të deputetëve, të sjellë frymë të re.
E në këtë mes hyn kandidatura e Lutfi Hazirit, një eksponent shumëvjeçar i partisë.
Haziri, i cili katër herë i ka fituar zgjedhjet për kryetar dhe tri herë për deputetë, duke mos humbur asnjëherë, po përmendet si emri më kredibil për drejtuar në mandatin e ri LDK-në.
Të kujtojmë se ish kryetari i LDK-së dhe njëri nga udhëhëheqësit e parë të kësaj partie, kryeakademiku, Nexhat Daci, pati dalë kohë më parë hapur në mbështetje të Lutfi Hazirit.
Ai pati thënë se i vetëm që mund ta ringjallë LDK-në është Lutfi Haziri.
Sipas tij vetëm Haziri është ai që mund ta instalojë suksesshëm frymën rugoviane.
Ai në një intervistë ka thënë se nuk është hera e parë që e përmend emrin e Hazirit, dhe për këtë thotë se ka argumente.
Ndërkaq, pritet të shihet se si do të rrjedhin gjërat deri më 3 gusht, pasi që Lutfi Haziri më herët pati deklaruar se është për një marrëveshje paraprake rreth emrit të kandidatit për kryetar. /Ballkani.info/